“Termokos” sqaron se molotovi s’u gjet në objektin e saj

Prishtinë | 01 Sht 2016 | 12:10 | Nga Ekonomia Online

Ndërmarrja publike “Termokos” SH.A, sqaron opinionin dhe gjithë konsumatorët se si pasojë e një gabimi, që është përvjedhur në komunikatën e lëshuar sot në mëngjes nga Policia e Kosovës, në të cilën thuhet se në një depo të “Termokosit” janë gjetur 50 çanta me koktej molotovi, nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën.

“Në fakt, objekti i bastisur nuk është pronë e ‘Termokosit’ dhe nuk ka të bëjë asgjë me kompaninë tonë. Për më tepër ky objekt është në distancë rreth 100 metra larg nga ‘Termokos’”.

“Përndryshe, veprimtaria në NP ‘Termokos’ SH.A  është duke u zhvilluar normalisht pa kurrfarë pengesash”, thuhet në komunikatën e “Terkomosit”.

Edhe Policia e Kosovës ka dhënë informacion shtesë lidhur me lokacionin e saktë të dëshmive të gjetura në afërsi të “Termokosit”.

“Për shkak të korrektësisë dhe shmangies së ndonjë keqkuptimi, lidhur me lokacionin e saktë të gjetjes së dëshmive të gjetura si: çantave dhe të tjerave të dërguara edhe me foto në komunikatën paraprake ju informojmë që nuk kemi të bëjmë me depo të ‘Termokosit’, por saktësisht një objekt në rrugën 28 Nëntori me pronar tani më të identifikuar nga Policia”.

“Gjatë operacionit policor pronari ka hezituar të bashkëpunoj në proces dhe lokacioni është përdorë vetëm si referim, prandaj sinqerisht ju informojmë se nuk ka ndonjë tendencë që kjo të lidhet me ‘Termokosin’ dhe kërkojmë falje për gabimin e mundshëm teknik dhe keqinterpretimet që mund të rrjedhin”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme