Tërnava uron Fitër Bajramin, thërret për solidaritet

Prishtinë | 24 Qer 2017 | 11:21 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, iu është drejtuar besimtarëve myslimanë me një mesazh me rastin e Fitër Bajramit.

“Pas një muaji agjërim, ku shprehëm bindjen e përkushtimin ndaj Zotit, nesër para agimit besimtarët do të jenë fillimisht në xhami , të gëzuar e të motivuar si asnjëherë më parë, për ta kurorëzuar përfundimin e agjërimit fillimisht me faljen e namazit të Bajramit, e për të vazhduar festën me familje, farefis e shoqëri të bashkuar me përgëzime e urime. Festa e Fitër Bajramit vjen pas një sakrifice të madhe, andaj me të drejtë besimtarët festojnë, gëzohen e janë të lumtur sepse janë të bindur në shpërblim nga i madhi Zot”, ka thënë ai.

Ai ka porositur që gjatë kësaj feste të përhapet ndjenja e vëllazërisë, ndërsa ka uruar për shëndet e lumturi.

“Gjatë festës së Fitër Bajramit nëpër familjet tona të përhapim ndjenjën e vëllazërisë, mirësisë e dashurisë me njëri-tjetrin, të kemi shëndet, harmoni e lumturi. Urimet më njëri –tjetrin , vizitat nëpër familjet tona, janë tradita që duhet ndjekur për të shprehë vëllazërinë, bujarinë e sinqeritetin me njëri-tjetrin, për të uruar dhe gëzuar kësaj feste kaq të rëndësishme”, ka pohuar Tërnava.

Ai ka thënë se jemi të obliguar të forcojmë paqen, respektin e solidaritetin mes njerëzve.

“Me punët tona të përditshme jemi të obliguar të forcojmë paqen, mirëqenien, dashurinë, respektin e solidaritetin mes njerëzve, larg dhunës, konflikteve, gjakderdhjeve e ekstremeve të ndryshme. Misioni ynë në këtë botë është të hapim shtigjet e lumturisë për njerëzimin, ky është misioni primar i fesë islame”, ka thënë myftiu Tërnava.

“Me fat ju qoftë Festa e Fitër Bajramit!”, ka përfunduar kryemyftiu i Kosovës.

Të ngjashme