Terreni malor në Ferizaj do të monitorohet 24 orë nga Policia e Kosovës

Prishtinë | 06 Qer 2018 | 13:31 | Nga

Me iniciativën e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu për të vendosur një kontroll të shtuar dhe rigoroz në mbrojtjen e pyjeve nga dëmtuesit, sot është realizuar takimi mes Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, shoqëruar edhe nga drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami me Komandantin e Stacionit Policor në Ferizaj, Imer Kaqara.

Në këtë takim, temë bosht e diskutimit ishte masat që po ndërmerr Komuna e Ferizajt në mbrojtje të pyjeve nga dëmtuesit sidomos në këtë periudhe kohore ku dëmet janë më të mëdha, përshkak prerjes ilegale të tyre me qëllim shitje në përgatitjet për sezonin dimëror.

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu falënderoi Komandantin e Policisë për mbështetjen e aksioneve të deritanishme të realizuara me Inspektoratin Komunal, si dhe theksoi se qeverisja e tij është e përkushtuar në zbatimin e politikave të mirëfillta mjedisore në të cilën pjesë të rëndësishme zë edhe mbrojtja e pyjeve.

“Jam i vendosur që të shkoj deri në fund të betejën për mbrojtjen e pyjeve. Edhe takimi i sotëm me Komandantin e Stacionit Policor në Ferizaj, Kaqaran është tregues se qeverisja ime është e përkushtuar në bashkëpunim me akterë relevant për të mbrojtur pyjet. Ky ka qenë edhe zotimi im para qytetarëve ferizajas. Beteja jonë do të jetë e vështirë, mirëpo jo e pamundur. Shumë shpejt, u dakorduam edhe me komandantin, do të nisim një fushatë më rigoroze kontrolli të përbashkët për mbrojtjen e pyjeve” tha Aliu.

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë, Burim Bajrami vlerësoi se edhe Rajoni i Ferizajt është prekur nga dëmtuesit e pyjeve.

“Ne si drejtori komunale kemi ndërmarr një varg aksionesh në mbrojtje të pyjeve, duke bërë konfiskimin e drunjve, procedimin e rasteve në organet e drejtësisë, si dhe vendosjen e pengesave në rrugë malore që shfrytëzohen nga dëmtuesit. Shumë shpejt do të bëjmë një kërkesë në Zyrën Regjionale të Policisë së Kosovës për të bërë një kontroll më efektiv të terrenit. Kësaj do t’i paraprijë edhe një regjistrim i jashtëzakonshëm i dëmtimit të pyjeve. Me Komandatin e Stacionit Policor në Ferizaj u dakorduam që të vendosim piramida në rrugë si dhe monitorim 24 orësh të terrenit malor nga Policia e Kosovës dhe rojet e pyjeve” tha Bajrami.

Gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar mbi 100m3 dru. Monitorimi i terrenit malor po bëhet vazhdimisht nga rojet e pyjeve me kapacitete të shtuara me qëllim mbrojtjen e pyjeve dhe denoncimin e dëmtuesve pranë organeve të drejtësisë.

Të ngjashme