Tetë raste të dyshuara për Coronavirus në QKUK

Prishtinë | 10 Mar 2020 | 13:14 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, janë paraqitur gjashtë raste të reja të dyshuara për koronavirus, duke bërë që numri të shkojë në tetë.

Lajmin e ka konfirmuar drejtoresha e Klinikës Infektive, Lendita Ajvazi-Berisha.

“Gjendja e përgjithshme e pacientëve është e mirë. Ne çdo ditë do të presim raste sporadike dhe është normale që kanë me ardhur për të kërkuar ndihmë edhe pse deri tash kanë ardhur me simptoma të lehta. Për momentin nuk ka pacientë që kanë simptoma më të theksuara”.

Ndërkaq, drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se e kanë formuar një komitet multi-displinar në të cilën janë bërë përgatitje që disa klinika janë bërë porta hyrëse me një gatishmëri, si dhe me masa preventive për stafin dhe është rritur më shumë higjiena në përgjithësi.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dje deklaroi se Ministria e planifikon të shpenzojë 10 milionë e 13 mijë e 295 euro, për të zhvilluar aktivitetet dhe planet rreth parandalimit apo trajtimit të virusit për të prekurit eventualë në Kosovë.

Sipas faqes për statistika, Worldometer, më shumë se 114 mijë persona janë infektuar në mbarë botën me koronavirus.

Numri i personave të vdekur ka shkuar në 4 mijë e 27, përfshirë 3 mijë e 136 në Kinë, ku fillimisht kishte nisur përhapja e virusit të ri në dhjetor të vitit të kaluar.

Jashtë Kinës, nga virusi Covid-19 kanë vdekur qindra të tjerë, përfshirë 463 në Itali, 237 në Iran, 54 në Korenë Jugore dhe 27 në Shtetet e Bashkuara.

Të ngjashme