Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një editorial për portalin panevropian “EurActiv” ka kritikuar Bashkimin Evropën për politikën e saj të zgjerimit.
Thaçi shkruan se marrëdhënia e Komisionit Evropian me Ballkanin Perëndimor dhe politika e zgjerimit ka qenë e ndërlikuar.
Sipas tij, të frikësuar nga ndjenjat ksenofobie të përziera me lodhjen e zgjerimit në vend, administrata ishte e shpejtë për të premtuar se asnjë zgjerim i mëtejshëm i BE-së nuk do të ndodhte gjatë mandatit 2014-2019.
“Përderisa të gjithë të njohur me politikën e dinin se një zgjerim deri në 2019 ishte vështirë të realizohej, politika e qartë e BE-së kishte efekte shkatërruese në rajon në aspektin e minimit të përpjekjeve të reformës. Fakti që kancelaria Merkel e pa nevojën për të nisur procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor 6“ duke u përpjekur të mbajë perspektivën e BE-së gjallë pavarësisht deklaratave të Komisionit, është shumë domethënëse”, ka shkruar Thaçi.
Ai ka shkruar se muajin e kaluar, Ballkani Perëndimor u godit edhe njëherë nga Komisioni aktual.
Më tej Thaçi shkruan se në letrën e lëshuar pas fjalimit vjetor para kongresit, Presidenti premtoi një strategji për pranimin e Malit të Zi dhe Serbisë deri në vitin 2025.
Ai ka shkruar se problemi është sigurisht që katër vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë lënë jashtë kësaj perspektive të përtërirë dhe të përforcuar.
“A duhet të përmend se tri nga katër prej tyre janë vende me shumicë myslimane dhe tri nga të katërtat kanë shumicë ose popullsi të konsiderueshme shqiptare? Kjo ngriti spekulime nëse kjo ishte një përpjekje për t’u kujdesur për forcat që anojnë më shumë nga e djathta që po shfaqen në të gjithë BE-në”, shkruan ai, duke shtuar se në çdo rast, kërcënimi i rritjes së ndikimit rus në Malin e Zi dhe Serbi nuk duhet të shpërblehet nga BE-ja, ashtu siç nuk duhet të shihet mungesa e kërcënimeve të ngjashme ose alternativat tjera nga Kosova si një disavantazh.
E për Kosovën, sipas tij, komplikimet nuk përfundojnë aty, për fat të keq, duke shtuar se Kosova mbetet e panjohur nga pesë shtete anëtare të BE-së.
Sipas tij, nuk ka asnjë iluzion se Kosova do të jetë e gatshme për t’iu bashkuar BE-së vitin e ardhshëm, duke ditur mirë se sa shumë kohë merr ky proces.
Sidoqoftë, sipas tij, Kosova është njëlloj e vetëdijshme – dhe të shqetësuar – nga fakti se procesi është gjithçka, pos që është i drejtë
“Liberalizimi i vizave është një shembull i qartë këtu. Përveç që është e fundit në rend, Kosovës i janë dhënë 95 kritere kur fqinjët e saj kanë pranuar rreth 50. Për më tepër, Kosova ka përmbushur plotësisht të 95-tat nëse janë interpretuar në mënyrën e paraparë sipas udhërrëfyesit formal dhe qytetarët e saj ende mbesin të izoluar. Të dy kriteret “e mbetura” kanë qenë dhe vazhdojnë të riinterpretohen nga BE-ja për arsye politike si një justifikim për t’i penguar kosovarët që të udhëtojnë lirshëm”, ka shkruar ai.
Sipas Presidentit, Qeveria e Kosovës është përpjekur të përfundojë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, edhe pse Kuvendi nuk e ka ratifikuar ende atë.
Mirëpo, sa më shumë që Kosova sipas tij, i afrohej fazës finale, aq më e ashpër u bë kërkesa, duke mos përmend aspak asimetrinë e kësaj kërkese, pasi që Malit të Zi nuk i është kërkuar të bëjë të njëjtën gjë në udhërrëfyesin e vet të vizave.
“Për më tepër, Kosova ka adresuar kriteret që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në një masë shumë më të madhe se çdonjëri prej vendeve ka pasur për të bërë në procesin e vizave. Neve po na kërkohet vazhdimisht të punojmë “më shumë” në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pa asnjë qartësi se çfarë do të përbënte përmbushja e këtij kriteri të mbetur”, shkruan ai.
Presidenti ka shkruar se arsyetimi i bërë shpesh nga shumë persona nga ana e BE-së se përse Kosova po vlerësohet më ashpër është se BE-ja mëson nga përvoja e saj e kaluar.
Megjithatë, sipas tij, kjo vetëm e ekspozon faktin se kemi të bëjmë me ndryshimin e shtyllave dhe se ky sistem është diçka tjetër, pos që është i drejtë. “Në rastin tonë, është diskriminim”, ka shtuar ai.
Në këtë editorial, presidenti Thaçi ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që formatizohet perspektiva e pranimit për të gjitha 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Çdo strategji për aderim duhet të përfshijë të gjitha vendet që gëzojnë një perspektivë të tillë. Duke veçuar disa dhe duke treguar data për disa të pakta, automatikisht zvogëlon kredibilitetin për pjesën tjetër. Kjo, nga ana tjetër, është demoralizuese dhe do ta vendoste procesin në një shpejtësi më të ulët dhe rrezikon ta ndalojë procesin e reformës”, ka shkruar ai.
Presidenti më tej ka shkruar se përparësitë e trajtimit të barabartë janë edhe më të dukshme në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Në kontekstin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, forca kryesore drejtuese e të cilave është procesi i integrimit në BE, stimulimi asimetrik është shkatërrues.
“BE-ja shpesh na kujton se ne duhet të tregojmë lidership dhe të marrim vendime që nuk janë as të lehta dhe as popullore, por që janë në interes të vendit tonë. Epo, këtu ju keni një mundësi perfekte për të na treguar një shembull. Pavarësisht lodhjes së zgjerimit dhe ngritjes së të drejtës populiste – a do të bëjë gjënë e duhur? Zgjerimi është padyshim i mirë për secilin nga vendet e rajonit individualisht dhe si grup dhe do të ishte i mirë edhe për vetë BE-në, pasi që do të krijonte stabilitet dhe mundësi ekonomike në një rajon të shkatërruar nga lufta më pak se 20 vite më parë”, ka shkruar ai.
Në fund presidenti Thaçi shkruan se ende beson në vlerat thelbësore të BE-së, dhe se vullneti i popullit për një kontinent të bashkuar dhe të integruar do të mbizotërojë.
Kosovarët sipas tij, janë me shumicë dërrmuese në favor të anëtarësimit në BE dhe janë plotësisht dhe tërësisht të përkushtuar ndaj vlerave evropiane.
“Nëse na jepet një mundësi e drejtë dhe një perspektivë e qartë, ne si popull do të bënim gjithçka në fuqinë tonë për të reformuar, përmirësuar dhe përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagenit. Por që kjo të ndodhë, BE-ja duhet t’i japë fund izolimit të kosovarëve dhe të shembë muret mentale të ndërtuara mbi paragjykime të rreme dhe të rrezikshme”, ka përfunduar ai editorialin, e shkruar për EurActiv.