Ish-drejtori i Komunës së Prishtinës, përkrahës i Lëvizjes Vetëvendosje, Jusuf Thaçi, konsideron se dorëheqjet e njëpasnjëshme nga pozitat e larta brendapartiake të funksionarëve të lartë të LVV-së duket qartë se janë të sinkronizuara dhe kanë për qëllim ta detyrojnë Albin Kurtin të tërhiqet nga gara për kryetar të LVV-së, në emër të ruajtjes së unitetit të LVV-së.
“Ata që besojnë dhe bëjnë thirrje që Albini duhet të tërhiqet nga gara për kryetar të LVV-së për hir të ruajtjes së unitetit të LVV-së, e kanë një huqje të madhe. Të tillët po kërkojnë të sakrifikohet një parim dhe e drejtë themeltare e demokracisë, siç është e drejta për t’u zgjedhur, vetëm e vetëm për hir të ruajtjes së unitetit të partisë”, ka shkruar Thaçi, në faqen e tij në Facebook.
“Të tillët duhet ta dinë se ta bësh kurban demokracinë për hir të interesit të partisë, kjo e shndërron partinë si qëllim në vetvete. E në momentin që LVV e shndërron veten si qëllim në vetvete, atëherë nuk i duhet më gjë Kosovës, parti të tilla kemi mjaft në Kosovë”.
“Prandaj Albini nuk mund dhe nuk bën të tërhiqet nga gara për kryetar të LVV-së”, ka theksuar ish-drejtori i Arsimit në qeverisjen e Shpend Ahmetit.