“Thaçi e ka ditur se ku merr fund interesi personal”, Arifaj e komenton videon e publikuar nga Kurti

Prishtinë | 16 Shk 2024 | 20:45 | Nga Ekonomia Online

Ardian Arifaj, ish-këshilltari i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, në emisionin “Five” në RTV Dukagjini e ka komentuar videon e publikuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për pavarësinë e Kosovës e në të cilën nuk është askund Thaçi.

“Në fakt, kemi pasur fatin që liderët politikë të asaj kohë e kanë ditur se ku merr fund interesi personal apo partiak dhe ku fillon interesi i Kosovës apo qytetarëve të Kosovës, edhe kanë arritur që të bëhen bashkë edhe në rrethanat që i dijmë të gjithë jo të lehta të negociojnë me bashkësinë ndërkombëtare, që të pranohet shtetit i Kosovës”, ka deklaruar Arfiaj.

“Në fakt po, se pavarësia e Kosovës nuk është çështje e një partie apo njeriut, ka qenë interes i të gjithë qytetarëve të Kosovës edhe ka qenë ëndërr e të gjithë qytetarëve të Kosovës edhe realizimi i ëndrrës së të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim partie politike”, ka shtuar ai.

Më tutje, Arifaj ka vazhduar që të flasë për personalitetin e Thaçit para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Është me rëndësi me kuptu së pari personalitetin e ish-presidentit Thaçi, nga njëra anë i është dashur të jetë idealist të besoj që mund të arrihet e pamundura që dukej për disa që Kosova të bëhej shtet i pavarur”, ka thënë ai.

Më tej, ai ka thënë se Thaçi sa ka qenë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka qenë pragmatik.

“Në të njëjtën kohë i është dashur që të jetë dhe pragmatik në atë kohë si kryeministër edhe t’i arrijë disa objektiva e para, që si lider politik të mobilizojë Kosovën brenda dhe jashtë në kuptimin se dijmë që ka pasur njerëz që nuk kanë besuar që gjithë ai proces negociator me Bashkësinë Ndërkombëtare do ta sjellte pavarësinë e Kosovës është dashur që të mobilizojë përkrahje brenda Kosovës, që të besohet se procesi që po negociohet do ta sjellte pavarësinë e Kosovës, në të njëjtën kohë i është dashur që të mobilizojë mjaft përkrahje të Bashkësia Ndërkombëtare”, ka përfunduar Arifaj.

Të ngjashme