Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbetur i vetëm në iniciativën për korrigjim të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Ai nuk e ka mbështetjen e partive politike, as në pushtet e as në opozitë.
Thaçit i duhet mbështetja e partive politike pasi çdo marrëveshje eventuale ndërmjet tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, do të duhet të votohej në Parlament.
Vende mbështetëse të Kosovës, siç janë Britania dhe Gjermania, janë deklaruar kundër një ideje të mundshme për shkëmbim apo ndryshim të kufijve në Ballkan.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, konsideron se presidenti, përmes kësaj ideje, ka përçuar një mesazh të dëmshëm për vendin.
Hoti thotë se janë të koordinuara deklarimet e personave të caktuar në Prishtinë dhe Beogradqë promovojnë idenë e shkëmbimit të territoreve.
“Propozimi kontrovers i presidentit për korrigjim kufijsh, i ka dëmtuar në thelb përpjekjet e kamotshme, tonat dhe të bashkësisë ndërkombëtare, për të krijuar rrethana të favorshme për komunitetin serb që të jetë pjesë aktive dhe e barabartë e jetës institucionale në Kosovës. Ky propozim po ndihmon drejtpërdrejt politikën refuzuese të përfaqësuesve politikë të komunitetit serb ndaj institucioneve të Kosovës. Zgjedhjet e reja do të nxjerrin një Qeveri dhe Kuvend legjitim, që marrin në dorë fatin e vendit dhe nuk e lejojnë presidentin të bëjë pazar me shtetësinë e Kosovës”, thotë Hoti për Radio Evropa e Lirë.
Promovimi i idesë së korrigjimit apo shkëmbimit të territoreve nga presidenti Thaçi, sipas Hotit nga LDK-ja, e ka futur ne qorrsokak diplomacinë kosovare dhe ka rezultuar me stopim të plotë të integrimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë, ku ka qenë e mundshme, si dhe ka stopuar plotësisht njohjet e reja.