Thaçi për refuzimin e ftesës nga Kurti: Kosova s’ka kohë për të humbur për teke të askujt

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 16:23 | Nga Albana Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas takimeve me liderët e tjerë politikë e institucionalë, kreu i shtetit, Hashim Thaçi ka komentuar mospranimin e ftesë nga kryeministri dhe kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Thaçi tha se është i gatshëm ta takojë Kurtin kurdo që ai e sheh të arsyeshme të takohet. Por, theksoi se Kosova nuk ka kohë për të humbur për shkak të tekeve të dikujt, raporton Ekonomia Online.

Pas takimeve që nisën që në orën 10:30, Thaçi ka mbajtur pasdite një konferencë për medie, në të cilën njoftoi se me “liderët u pajtuan dhe ishin të një zëri rreth qëndrimeve të përbashkëta të interesit nacional”.

Presidenti Thaçi tha se edhe Lista Serbe është e pajtimit që të punojnë në interes të përbashkët, për paqe dhe jetë më të mirë të qytetarëve.

“Synimi im ka qenë që të diskutojmë më pozitën dhe opozitën për momentin aktual që po kalojmë dhe hapat që do të ndërmarrim në të ardhmen e afërt. Veçanërisht për takimin që ndodhi në ShBA me presidentin Aleksandër Vuçiq.”, tha Thaçi.

“Me Isa Mustafën ka qenë një takim i shkëlqyer. Kemi diskutuar për procesin dhe u dakorduam që të kemi qëndrim të përbashkët në konsolidimin e jashtëm. Vlerësoj rolin e tij në marrëdhëniet diplomatike. Me Kadri Veselin diskutuam për rolin e opozitës si gurthemel për realizimin e çështjeve të interesit të përbashkët. Takim miqësor edhe me ish- kryeministrin Ramush Haradinaj i cili përkrahë përpjekjet për një qëndrim të përbashkët madhor shtetëror dhe e vlerësoj lartë. Edhe me Fatmir Limajn u pajtuam që të flasim me një zë. Një takim të mirë edhe me Listën Serbe, roli i tyre është i rëndësisë së veçantë në ndërtimin e shtetit dhe shoqërisë multietnike. Është me interes që të punojmë bashkë. Të njëjtin mesazh për unitet politik e mora edhe nga Behgjet Pacolli”, shtoi Thaçi

Pasi ka folur për takimet e tjera, në fund presidenti ka kritikuar mosardhjen e kryeministrit Kurti.

“Takimi ka qenë i konfirmuar qysh nga e premtja, pasi ftesa ime ka qenë që të ndodhë i pari me liderët udhëheqës por për fat të keq është anuluar ky takim nga zyra e Kryeministrit. Unë do të takoj kurdo që mendon se është interes të takoj. Kosova nuk ka kohë të humbur për t’i marrë parasysh teket e askujt”, u shpreh Thaçi.

Të ngjashme