Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin bullgar, Boyko Borissov, i cili është nikoqir i Samitit të përbashkët historik të BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në Sofje.
Presidenti Thaçi përmes profilit të tij në Facebook, ka thënë se me kryeministrin Borissov ka folur për rëndësinë dhe mundësinë e madhe që ofron ky Samit për të qartësuar rrugën evropiane për Kosovën dhe të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Kushti kryesor për anëtarësim në BE, përveç plotësimit të kritereve të Kopenhagës, sigurisht që është mbyllja e çështjeve të hapura ndërmjet të gjitha shteteve në rajonin tonë, të cilat janë të përcaktuara për t’u anëtarësuar në BE’, ka thënë Thaçi, duke shtuar se për Kosovën dhe Serbinë, mbetet jetike arritja e marrëveshjes obligative ligjore për normalizim dhe pajtim.
Thaçi ka siguruar kryeministrin Borissov, se Kosova është e gatshme që në relacion me Serbinë ta mbyllim kapitullin e konflikteve dhe ta hapim atë të paqes.
“Këtë frymë të paqes dhe të bashkëpunimit, unë do ta përcjell në emër të qytetarëve tanë edhe në Samitin e Sofjes, sepse ne jemi evropianë dhe sjelljet tona duhet të jenë të tilla. Ky ishte mesazhi im kryesor për mikun tim Boyko, i cili meriton respekt dhe konsideratë të lartë për organizimin e këtij Samiti”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.