Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë.
Në intervistën e tij në “Debat Plus” nga Haga, në pyetjet që i janë dërguar më 9 mars të këtij viti, e që përgjigjet thuhet se janë finalizuar më 29 korrik, Thaçi ka kërkuar që partitë politike, pavarësisht nëse janë në pushtet apo opozitë, të ulen në një tryezë dhe të arrijnë pajtim për disa çështje strategjike.
Ai ka përmendur si prioritete sigurinë nacionale, reformat demokratike, reformën elektorale, politikën e jashtme, marrëveshjet ndërkombëtare dhe investimet në mbrojtje.
“Mendoj se politika kosovare, pozitë dhe opozitë, duhet të ulet në një tryezë, të diskutojë dhe të pajtohet rreth disa zotimeve të përbashkëta: sigurisë nacionale, reformave demokratike, reformës elektorale (zgjedhja e presidentit drejtpërdrejt nga populli, si mundësi për evitimin e krizave institucionale), politikës së jashtme, marrëveshjeve ndërkombëtare, investimeve në mbrojtje, integrimit në NATO dhe BE, raporteve speciale me ShBA-në, pastaj me Shqipërinë dhe eventualisht dialogut me Serbinë, etj”, ka thënë Thaçi.