Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pranuar kredencialet e ambasadorit jorezident të Dukës së Madh të Luksemburgut, Paul Pierre Jean Schmit.
Presidenti Thaçi e uroi ambasadorin Schmit për detyrën e re dhe e ftoi për vazhdim të thellimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve.
“Luksemburgu është ndër vendet e para që ka njohur Kosovën. Ka kontribuar vazhdimisht në misionet ndërkombëtare që operojnë në Kosovë. Ka realizuar projekte të rëndësishme në shumë sektorë dhe e përkrah Kosovën në organizata dhe forume ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ndërsa, ambasadori i ri Schmit u shpreh se Luksemburgu do të vazhdojë ta përkrah Kosovën për integrim në Bashkimin Evropian.
Presidenti Thaçi dhe ambasadori Schmit biseduan edhe për implementimin e projekteve qeveritare të Luksemburgut në Kosovë.