Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit që ka zhvilluar me Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe komisionerin Johanes Hahn, tha se Kosova është krenare që është ndërtuar si shtet me vlerat dhe praktikat më të mira të BE-së.
Sipas tij, BE është synim i së ardhmes së Kosovës, raporton Ekonomia Online. Ai tha se strategjia e zgjerimit të BE-së, ka konfirmuar të ardhmen e sigurt në BE.
“Kjo strategji ka konfirmuar qartë të ardhmen e sigurt të Kosovë për anëtarësim në BE. Prezenca e juaj sot është dëshmi e qartë e përkushtimit të BE-së për Kosovën dhe për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Vizita i jep mbështetje të palëkundur përpjekjeve tona në rrugën tonë për anëtarësim në BE”.
“Kosova është krenare që procesi i shtet-ndërtimit është bërë në përputhje me praktikat me shtetet evropiane”.
Kreu i shtetit tha se Kosova nuk po kërkon rrugë të shkurtë për në union, por trajtim të barabartë me të gjitha vendet e rajonit.
“Ne nuk jemi duke kërkuar rrugë të shkurtër, por presim trajtim të barabartë me vendet e tjera dhe qartësim të rrugës tonë”.
Thaçi u shprehur i bindur se demarkacioni me Malin e Zi do të ratifikohet.
“Besoj se të gjithë e kemi të qartë sepse sot Kuvendi nuk arriti të ratifikojë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi. Nuk dua të komentoj sepse jam i bindur se do të ratifikohet në ditët e ardhshme. Kur kjo ndodh, jam i bindur se Juncker dhe të tjerët do të bëjnë punën e tyre dhe do t’i japin fund izolimit të qytetarëve të Kosovës”.
“Po ashtu patëm rastin ta informojmë presidentin Junker për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ju premtoj se do t’i marrim të gjitha masat si shoqëri dhe përgjegjësinë institucionale”.
Ai ka falënderuar Federica Mogherinin për rolin e saj në dialogun me Serbinë. Thaçi thotë se negociatat me Serbinë janë të vështira, por janë rruga e vetme për normalizim.