The Guardian, Soleimani dhe vargu i gjatë e i zymtë i përpjekjeve amerikane për vrasje

Prishtinë | 04 Jan 2020 | 13:05 | Nga Ekonomia Online

Përgjatë historisë, Shtetet e Bashkuara nuk i kanë zvogëluar përpjekjet për t’i eliminuar armiqtë e jashtëm përmes mënyrave shumë të dyshimta ligjore dhe etike.

Arti i zi i vrasjeve politike nuk është i panjohur për qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Përgjatë dekadave, ajo ka zbatuar teknika të hollësishme kundër armiqve të vet, duke filluar nga dërgimi i një kimisti të armatosur me helm vdekjeprurës për ta rrëzuar nga pushteti Patrice Lumumba-n në vitet e gjashtëdhjeta deri te vendosja e pilulave me helm në ushqimin e liderit kubanez, Fidel Castro.

Megjithatë, vrasja e gjeneralit Qassem Soleimani, liderit të forcave Kuds, ishte kategori në vete. Veçoria unike e saj nuk qëndron aq shumë në metodën e përdorur – ç’dallim paraqet për viktimën nëse sulmohet me dron nga ajri, si Soleimani, apo nëse ekzekutohet pas një puçi të përkrahur nga CIA, siç ishte rasti i ish-liderit irakian, Abdul Karim Kassem, në vitin 1963? – por në atë se sa haptazi u vra ai dhe se si u injoruan plotësisht hollësitë ligjore apo pasojat njerëzore.

“Shtetet e Bashkuara thjesht nuk janë pjesë e praktikës së vrasjes së zyrtarëve të lartë shtetërorë kështu haptazi”, tha Charles Lister nga Instituti i Lindjes së Mesme në Uashington. “Përderisa Soleimani ishte një figurë brutale, përgjegjës për një pjesë të madhe të vuajtjeve, dhe forcat Kuds ishin të cilësuara si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, nuk mund të shmanget fakti se ai ishte njeriu i dytë më i fuqishëm në Iran, pas liderit suprem”, shtoi ai.

Postimet e Trump-it në Twitter rreth kësaj vrasjeje, të kombinuara me përpjekjen e vogël për ta arsyetuar aksionin, qoftë sipas ligjeve të brendshme, qoftë sipas ligjit ndërkombëtar, kanë ndikuar që Shtetet e Bashkuara të akuzohen për krimet që zakonisht ia veshin armiqve. Ministri i jashtëm iranian, Javad Zarif, e cilësoi këtë vrasje si akt të terrorizmit ndërkombëtar.

Qasem Soleimani ishte gjeneral i lartë në Trupat e Rojeve Revolucionare të Iranit dhe nga viti 1998 ishte komandant i forcave Kuds, të cilat janë kryesisht përgjegjëse për operacionet e jashtme dhe klandestine. Ai e kishte filluar karrierën ushtarake në luftën mes Iranit dhe Irakut në vitet e tetëdhjeta, kur kishte shërbyer si komandant i Divizionit të 41-të. Më vonë, ai u angazhua në operacione të jashtme, duke ofruar ndihmë ushtarake për Hezbollahun në Liban.

Në vitin 2012, Soleimani i ofroi ndihmë edhe qeverisë së diktatorit sirian, Bashar Al Assad, i cili është aleat i rëndësishëm i Iranit. Ai dha asistencë edhe për forcat shiite në Irak, të përkrahura nga Tehrani. Soleimani u vra nga një sulm me dron nga forcat amerikane më 3 janar, përderisa ishte duke udhëtuar me një veturë afër aeroportit të Bagdadit. Përpos tij, në këtë sulm mbetën të vrarë edhe disa pjesëtarë irakianë të Forcave Popullore të Mobilizimit. Në pozitën e tij tashmë është emëruar gjenerali Esmail Ghaani.

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, ndërhyrjet e Shteteve të Bashkuara për eliminimin e armiqve të huaj përmes metodave të dyshimta ligjore dhe etike nuk kanë munguar. Në disa raste, këto aksione kanë dalë të jenë të suksesshme. Shtetet e Bashkuara e kanë pranuar se i kanë bërë hiç më pak se tetë atentate kundër Castro-s, ndonëse shifra e vërtetë ndoshta ka qenë shumë më e madhe.

Që nga viti 1976, Shtetet e Bashkuara vazhdimisht janë akuzuar për përfshirje në përpjekje për eliminimin e liderëve të huaj,  shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express. .

Ish-presidenti amerikan, Ronald Reagan, kishte dhënë urdhër për bombardime kundër ish-liderit të Libisë, Muammar Gaddafi.  Dy vjet më parë, Koreja Veriore tha se CIA është munduar ta vrasë liderin e saj, Kim Jong-un

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme