Prishtina ka nevojë për një xhami të re, por përpjekjet e Turqisë për të ndërhyrë në shtetin e ri të Ballkanit me investime dhe avokim janë duke u bërë shqetësuese.
Kështu e nis shkrimin gazeta e njohur britanike “The Guardian”, në artikullin që ka të bëjë me ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë, ku theksohet se tashmë kanë kaluar gjashtë vjet që nga vendosja e gurthemelit (një pllakë guri e fshehur nën barërat e këqija në një parking – citon The Guardian).
Në hapësirën midis Postës kryesore dhe Shtëpisë së Shëndetit, në Ulpianë më e 8 tetor të vitit 2012, tullat e para i vendosën ish presidentja Atifete Jahjaga, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryemyftiu Naim Tërnava, Hashim Thaçi (atëherë kryeministër) dhe ish kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa.
The Guardian thekson se pavarësisht se shumica e popullsisë në Kosovë i përkasin fesë myslimane, ndërtimi i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, financuar nga Turqia, ka ngritur shqetësime.
“Kundërshtimi ndaj shumë xhamive të reja anembanë Evropës është i rrënjosur nga frika e Islamit, por fakti se nga 20 persona 19 janë myslimanë në Kosovë, rezistenca ndaj xhamisë së re të Prishtinës nuk përputhet me atë të Evropës. Disa banorë vendas e shohin atë si një simbol të ndikimit mbizotërues të Turqisë, ndërsa të tjerët dyshojnë në kthimin e besimit në një hapësirë publike laike”.
Ka pasur polemika rreth dizajnit, duke përfshirë edhe refuzimin e planeve të hartuara nga arkitektë me famë, përfshirë Zaha Hadid.
“Mbi 30 dizajne u paraqitën vetëm disa muaj pasi thirrja për dizajnet u bë në vitin 2012. Edhe Zaha Hadid propozoi një dizajn,” thotë arkitekti kosovar Arbër Sadiki për The Guardian.
“Projektimet duhej të ishin origjinale, por projekti i zgjedhur ishte vetëm një kopje e xhamisë osmane. Vendimi duket më shumë politik sesa arkitekturor për mua. Unë njoh arkitektë të mahnitshëm që punojnë në xhamitë bashkëkohore në Turqi. Pse nuk mund ta vendosim Prishtinën në hartë me diçka të ngjashme?”.