Themelohet Qendra për Karrierë në Malishevë

Prishtinë | 25 Sht 2019 | 13:41 | Nga Ekonomia Online

Në Malishevë është themeluar Qendra për Karrierë në Qendrën e Kompetencës “Kujtim Krasniqi”, e cila do të ndihmojë rreth 600 nxënës të kësaj shkolle për të zhvilluar një karrierë të suksesshme arsimore dhe ndërlidhjen më të mirë me tregun e punës.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, falënderoi Ambasadën norvegjeze, për kontributin e dhënë në ndërtimin e këtij objekti arsimor, për trajnimet profesionale të mësimdhënësve që ka ofruar në Norvegji.

“Kjo Qendër për Karrierë që po inaugurohet sot, është edhe një aset shtesë, për nxënësit tanë që të aftësohen për tregun e punës e kjo do të bëhet në bashkëpunim edhe me bizneset prodhuese, brenda komunës dhe jashtë sajë e pse jo, nxënësit tanë të janë të përgatitur si gjithë bashkëmoshatarët e tyre evropian”, tha ai.

Drejtori i Qendrës së Kompetencës “Kujtim Krasniqi”, Nazmi Zogaj, tha se Qendra për Karrierë do të ndihmojë rreth 600 nxënës të kësaj shkolle për të zhvilluar një karrierë të suksesshme, arsimore, profesionale dhe jetësore, si dhe ndërlidhjen më të mirë me tregun e punës.

Nga kjo Qendër për Karrierë do të përfitojnë nxënësit e tanishëm, të sapo diplomuarit, të rriturit që kanë braktisur shkollën, bizneset, prindërit dhe komuniteti në përgjithësi, njëherësh do të përforcohen marrëdhëniet me sektorin privat, tregun e punës.

Ndryshe, qendra të këtilla të karrierës deri më tash janë themeluar në tetë komuna të Kosovës.

Të ngjashme