Thethi u kthye në qendrën turistike të Veriut të Shqipërisë gjatë sezonit turistik veror, por vazhdon të vizitohet edhe tani në vjeshtë nga ata që e duan natyrën.
Parku Kombëtar i Thethit, ka qenë më i vlerësuari nga Administrata e Zonave të Mbrojtura të Shkodrës për sa i përket numrit të vizitorëve në periudhën e verës.
“Kanë qenë të shumtë vizitorët që u ngjitën drejt Thethit edhe këtë fundjavë”, thotë për ATSH, Drejtori i ADZM-së Shkodër, Agim Dardha.
Sipas tij, turistët udhëtojnë kryesisht me makinat e tyre, apo të organizuar me guida turistike. Thethin deri tani e kanë vizituan më shumë se 80 mijë turistë, nga ku një numër i konsiderueshëm kanë qenë vizitorë të huaj.
Ndërsa, sipas Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Zamir Dedej, Thethi aktualisht ofron 1200 shtretër dhe çdo natë aty flenë rreth 100 vizitorë. Ai e konsideron mjaft të suksesshëm lëvizjen turistike në këtë zonë për këtë periudhë të vitit 2018 dhe e radhit Thethin, si një veçanti të turizmit të natyrës, të ecjes sportive, të peizazhit dhe të historisë e mitologjisë.
Së shpejti nis edhe asfaltimi i rrugës Qafë-Thore – Theth me gjatësi 17 km që do të lehtësojë shumë lëvizjen e vizitorëve në këtë luginë mbresëlënëse.
Në bukuritë e rralla të vendit tonë, Thethi pa dyshim zë vend kryesor. Ai gjendet në mes të Alpeve me një bukuri mahnitëse, në Veri të Shqipërisë, shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës, i mbrojtur nga tre male Radohima, Sheniku dhe Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit.
Historia e Thethit dhe e Shalës është e lidhur me atë të fisit ilir të Labeatëve. Thethi është vendbanim shumë i hershëm duke u bazuar në të dhënat historike dhe zbulimet arkeologjike.
Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar” dhe sot është një nga pikat turistike më të frekuentuara nga vendasit dhe turistët e huaj.
Aty ndodhen hotele dhe bujtina që presin dhe strehojnë vizitorë dhe pushuesit. Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve Shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar, shkruan Kosova Press.
Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit të tre shteteve, parku quhet “Parku i Paqes”, ku në të përfshihen territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi.
Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin edhe të turizmit kulturor.
Një bukuri natyrore të veçantë të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zonë Ujëvara e Thethit me lartësi 25 m, ku së bashku me Mullirin e Blojes, kishën në qendër të fshatit formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar. Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, që derdhet në liqenin e Komanit.
Thethi në këtë stinë përjeton dhe peizazhin e një fshati që përgatitet për dimrin. Në këtë stinë ku vjeshta ka sjellë kudo të verdhën e saj, Thethi ka marrë nurin e një tabloje të Van Gogh-ut.