Thethi shpallet Qendër Historike

Prishtinë | 17 Pri 2017 | 16:16 | Nga

Ministria e Kulturës në bashkëpunim me IMK-në dhe institucionet e tjera pas një pune të gjatë për vlerësimin e pasurive kulturore dhe qendrave të rëndësishme të trashëgimisë në të gjithë Shqipërinë, ka vendosur që në bazë të kritereve të përmbushura ti japë Thethit statusin e Qendrave të mbrojtura Historike, fshatit me bukuri të rrallë në mes të Alpeve në Veri të Shqipërisë.

Qendra Historike e fshatit Theth që propozohet, është pjesa me vlera urbanistiko- arkitektonike e fshatit dhe hapësira që mbart vlera të rëndësishme historike, që dokumenton rrugën e zhvillimit historik të fshatit drejt krijimit të një qendre të banuar dhe tiparet urbanistiko-arkitekturore që u formuan gjatë historisë së tij. Pjesa dërrmuese e fshatit ruan ndërtime të vjetra me vlera arkitektonike e konstruktive dhe rrjetin rrugor karakteristik.

Këto ndërtime janë të lidhura me mjedisin tradicional, i cili është pjesë e Qendrës Historike. Brenda kësaj Qendre përfshihen objekte monument kulture të kategorisë së parë si Banesa e Lulash Kecit (Muzeu Etnografik i Dukagjinit), Kulla e Nikoll Zef Koçekut (Kulla e Ngujimit), etj.

Krahas këtyre ndërtimeve, në këtë zonë janë ndërtuar banesa që, ndonëse nuk kanë numër të madh ambientesh, dallohen nga përpunimi mjaft më i pasur arkitektonik. Këto ndërtime janë më të vonshme dhe të përhapura në zona të kufizuara, si në Theth të Dukagjinit e Vermosh të Kelmendit.

Ato kanë të përbashkët trajtimin arkitektonik të ngjashëm. Karakteristike për këtë trajtim janë çatitë mjaft të pjerrëta, të mbuluara me funde dërrase, të cilat duke mos mbajtur dëborë, lehtësojnë mjaft punën e konstruktorit.

Pasuria dhe përpunimi i elementëve arkitektonikë, futja e elementeve të drurit krahas muraturës së gurtë, e gjallërojnë shumë pamjen e banesës, ndërsa çatitë e pjerrëta harmonizohen me ambientin e thepisur shkëmbor dhe duken sikur përsëritin konturet e majave të maleve, që përbëjnë sfondin natyror të banesave.

Thethi është vendbanim shumë i hershëm, duke u bazuar në të dhënat historike dhe zbulimet arkeologjike. Këtu kanë banuar Oksetët, Bythdosët, Berbati, Vladët, Kelmendas e ndoshta edhe grupe të tjera popullsie të pa njohura. Thethi për herë të parë shfaqet i dokumentuar në Defterin e regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës, në vitin 1485, me emrin Fusha dhe në atë kohë kishte vetëm 7 shtëpi të mëdha.

Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar”. Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme