“Thjesht nuk më intereson” – Jo çdo iranian po i bashkohet zisë masive për Ali Khamenein

Prishtinë | 05 Kor 2026 | 16:50 | Nga Ekonomia Online

Në përpjekje për të treguar unitet, Irani ka thënë se pret deri në 15 milionë njerëz të marrin pjesë në funeralin shumëditor të Udhëheqësit Suprem të ndjerë, Ajatollah Ali Khamenei. Por jo të gjithë janë të gatshëm t’i bëjnë homazhe, shkruan CNN.

Duke folur në kushte anonimiteti nga frika e pasojave të sigurisë, disa banorë i thanë CNN-it se refuzojnë t’u bashkohen turmave në rrugët e Teheranit, duke ndier njëkohësisht frustrim dhe apati ndaj këtij eventi madhështor.

“Shiko, nëse mendoj thellë për këtë, zemërohem që e kanë mbyllur qytetin për dikë që ua shkatërroi jetën njerëzve”, i tha CNN-it një 30-vjeçar nga Teherani. “Por, sinqerisht, kam arritur në atë pikë sa thjesht nuk më intereson”.

Ai tha se, në fund të fundit, pavarësisht vdekjes së Khameneit, “asgjë nuk ka ndryshuar”, duke shtuar se pasardhësi i tij, Mojtaba Khamenei, i cili mungon në publik, mund të mos jetë aspak ndryshe.

Arash Azizi, ekspert për Iranin me bazë në Nju Jork dhe autor i librit “What Iranians Want”, i tha CNN-it se Irani është një vend me 90 milionë banorë dhe se ekziston një gamë e gjerë pikëpamjesh për udhëheqësin suprem të ndjerë.

“Një pakicë e zëshme e mbështet plotësisht, ndërsa të tjerët janë më të ndarë” tha Azizi. “Ai ishte kreu i shtetit të Iranit për pothuajse katër dekada dhe aspekte të ndryshme të sundimit të tij do të gjykohen ndryshe nga iranianë të ndryshëm”.

Një tjetër banor i Teheranit, 35 vjeç, tha se ka vendosur “ta injoronte krejt këtë çështje”.

“Nuk dua as t’i kushtoj vëmendje, kështu që do të çlodhem, do ta marr shtruar, do të ftoj miq për të kaluar kohë së bashku dhe nuk do të shqetësohem fare”, i tha CNN-it banori, i cili zotëron një biznes në Teheran, duke shtuar se regjimi “gjithmonë do ta organizonte një shfaqje”.

Një grua rreth të tridhjetave, e cila punon si mësuese me kohë të pjesshme në Teheran, tha se numri i vajtuesve i reklamuar nga regjimi është shumë i ekzagjeruar.

“Këto shifra prej 10 apo 20 milionësh janë marrëzi të plota” tha ajo, duke iu referuar turmave që kishte parë vetë. “Edhe në skenarin më të mirë, nuk ka gjasa të arrijnë as 1 milion njerëz brenda një dite të vetme — ka shumë pak gjasa”.

“Por duhet ta shihni sa shumë para kanë shpenzuar për këtë!”

Të ngjashme