Gjykata Speciale pritet që të fillojë së shpejti me akuzat e para, dhe pse ende nuk dihet se kur do të bëhen ato.
Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, avokati Tomë Gashi ka thënë se Specialja është në interes vetëm të Serbisë dhe po ashtu ka folur për mundësinë që kjo gjykatë t’i zbulojë vrasjet e pasluftës.
“Është iluzore të pritet që Gjykata Speciale t`i zbulojë të gjitha vrasjet politike, e që janë të shumta të cilat kanë ndodhur pas luftës në Kosovë. Mjerisht familjaret e këtyre të vrarëve për motive politike, do të dëshpërohen shumë por ky do të jetë realiteti”, është shprehur Gashi.
Ai ka përmendur edhe rastin e Astrit Deharit, duke thënë se e gjitha ka ndodhur për shkak se ai ishte aktivist i VV-së, sepse po të mos ishte do të ishte ende gjallë.
“Keqpërdorimi i drejtësisë në mënyrën më të vrazhdë dhe të mundshme duke e vrarë kështu edhe Astrit Deharin në burg për arsyen e vetme të bindjeve të tij politike. Pra edhe Astrit Dehari është një i vrarë nga pushteti që e ka kapur shtetin dhe drejtësinë në Kosovë dhe ai është vrarë në burg për shkak se ishte aktivist i VV-së. Sepse po të mos ishte aktivist i VV -së as nuk do të burgosej fare dhe sot besoj se do të ishte me ne shëndoshë e mirë”, ka deklaruar Gashi për “Bota sot”