Liga e Kampionëve rikthehet këtë javë, por shumë tifozë kanë një kërkesë të qartë për UEFA-n: rikthimin e versionit origjinal të himnit të famshëm të kompeticionit.
Para ndeshjeve të para të fazës së ligës të martën, UEFA publikoi në rrjetet sociale një video me versionin aktual të himnit të Championsit.
Megjithatë, reagimet e tifozëve nuk vonuan, me shumë prej tyre që kërkuan rikthimin e versionit klasik, i cili për dekada është bërë sinonim i netëve të mëdha evropiane.
Versioni i ri nuk i ka bindur tifozët
UEFA e rifreskoi himnin para sezonit 2024/25, duke e riregjistruar me një tempo më të shpejtë dhe me më shumë theks te vokalet.
Në versionin e ri, zërat janë më të spikatur, ndërsa perkusioni dhe fuqia orkestrale janë reduktuar.
Pikërisht ky ndryshim nuk është pritur mirë nga një pjesë e madhe e publikut, i cili mendon se himni ka humbur atmosferën madhështore që e karakterizonte më parë.
Një tifoz shkroi:
“Edhe sot nuk e kuptoj se përse dikush i miratoi këto ndryshime në muzikë.”
Një tjetër kërkoi rikthimin e versionit të vjetër, duke e përshkruar atë si shumë më madhështor dhe frymëzues.
“Rikthejeni himnin origjinal. Versioni i vjetër ishte madhështor dhe të jepte ndjesinë se po hyje në një kompeticion ku mund të shkruhej histori.”
“Versioni i vjetër kishte më shumë emocion”
Një tjetër komentues tha se versioni klasik arrinte të kombinonte elegancën me fuqinë emocionale.
“Ende nuk më pëlqen që e ndryshuan. I vjetri ishte elegant, por në të njëjtën kohë edhe bombastik. Të jepte ndjesinë se aty ishin si klubet më të mëdha, ashtu edhe skuadrat që ëndërronin të bënin histori.”
Sipas tij, versioni aktual është më elegant, por i mungojnë momentet që krijonin adrenalinë para fillimit të ndeshjeve.
Një tjetër tifoz ishte edhe më i drejtpërdrejtë:
“Rikthejeni versionin e vjetër. Ky nuk ka jetë.”
Një nga meloditë më të njohura në futboll
Himni i Ligës së Kampionëve u prezantua në vitin 1992, me krijimin e formatit modern të kompeticionit.
Që nga ajo kohë është bërë një nga meloditë më të njohura dhe më identifikuese në historinë e futbollit.

Kompozimi është përshtatur nga Tony Britten në vitin 1992 dhe bazohet në veprën klasike “Zadok the Priest”, të kompozuar nga George Frideric Handel në vitin 1727.
Himni përdor tri gjuhë
Teksti i himnit është shkruar në tri gjuhët zyrtare të UEFA-s: anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht.
Në të përmenden “skuadrat më të mira”, “kampionët” dhe madhështia e ngjarjes sportive, duke krijuar atë atmosferë ceremoniale që është bërë pjesë e pandashme e Ligës së Kampionëve.
Versioni i plotë i himnit zgjat afërsisht tri minuta, megjithëse shumica e tifozëve janë më të familjarizuar me fragmentin orkestral që luhet në stadium pak para fillimit të çdo ndeshjeje.
Championsi rikthehet me ndeshje të mëdha
Edicioni i ri i Ligës së Kampionëve nis të martën, me disa nga klubet më të mëdha të Evropës menjëherë në aksion.
Real Madridi, Interi, Manchester City dhe Aston Villa janë ndër skuadrat që do të luajnë në xhiron hapëse të fazës së ligës.
Por, përpara se topi të nisë të rrotullohet, një pjesë e tifozëve duket se do të vazhdojë debatin për një tjetër element shumë të rëndësishëm të Championsit: tingullin që prej më shumë se tri dekadash paralajmëron fillimin e netëve më të mëdha të futbollit evropian. /GazetaExpress/