Tina Xhemajli-politikania që po lufton për barazi gjinore në Suedi

Prishtinë | 07 Tet 2017 | 11:09 | Nga

Politikanja suedeze me prejardhje nga Kosova, Tina Xhemajli, e cila është anëtare dhe nënkryetare e Këshillit Bashkiak në Komunën e Staffanstorp në Suedi ka vendosur të largohet nga partia e saj, Partia e të Moderuarve, një nga dy partitë më të mëdha në Suedi, për shkak të pakënaqësive  me trajtimin e grave brenda partisë, njofton Klan Kosova.

Xhemajli ka thënë për programin e lajmeve në televizionin suedez Sveriges se ka një “pikëpamje mesjetare për gruan”, brenda partisë së saj.

Xhemajli ishte bërë anëtare te Të moderuarve, parti me pikëpamje ideologjike liberalo-konservative, qysh nga viti 2006 dhe ishte një nga politikanet kryesore të partisë në Staffanstorp.

“Ekziston një kulturë brenda partisë që krijon disavantazhe për gratë. Sidomos për nënat e reja dëgjohet shpesh se sa e papërshtatshme është që të jesh politikisht aktive”, ka thënë Xhemajli.

Ajo thotë se krejt ndryshe është puna kur bëhet fjalë për burra që bëhen me fëmijë, krahasuar me gratë.

“Për burrat thuhet se është një gjë e çmuar të kenë fëmijë. Ata shpërblehen edhe më paga më të larta dhe pozita”.

Pabarazinë Xhemajli e ka ndjerë edhe vet kur kishte munguar për shkak të lindjes.

Ajo, një vit e gjysmë më parë, kishte pranuar aprovimin se i lejohet mungesa nga takime të ndryshme për t’u kujdesur për vajzën e sapolindur, por gjatë kohës sa ishte në pushimin të lindjes, i ishte kërkuar nga partia që të hiqte dorë nga pozitat që mbante për shkak se mungesa e saj e gjatë ishte e papranueshme.

“Kjo është një nga arsyet që më ka bërë ta lë partinë, por mbi të gjitha, është kultura që proklamon partia rreth këtyre çështjeve”.

“Jam dëshmitare e disa rasteve të tilla, por nuk dua të përmendi emra të përveçëm, na takon neve grave të dalim në ballë të këtyre problemeve”.

Megjithatë, Xhemajli, kur është pyetur se kush janë njerëzit brenda partisë së saj që u kërkojnë grave të lënë postet e tyre politike brenda partisë vetëm se janë gra, ajo ka refuzuar të japë ndonjë emër.

Deklaratat e Xhemajlit i ka kundërshtuar kryetari i komunës, Christian Sonesson, duke thënë se ajo çfarë po prezantohet nga Xhemajli nuk qëndron.

“Në partinë tonë mundësitë janë të barabarta si për gratë si për burrat”.

“Nuk e përcakton gjinia çfarë pozite, apo çfarë page merr. Prandaj kjo që po thotë Tina nuk është e vërtetë. Nuk e shoh se e kemi një problem të tillë në parti”, ka thënë Sonesson.

Në ndërkohë, Tina Xhemajli, ka deklaruar se do të vazhdojë të mbajë pozitat e saj si anëtarë e Këshillit Bashkiak dhe nënkryetare.

“Unë marrë përgjegjësitë që më takojnë pasi kam besimin e votuesve. Unë e bëj këtë punë dhe e bëj mirë. Për vendimin tim kam marrë mesazhe shumë pozitive nga njerëzit”.

Ajo ka treguar se mbase në të ardhmen do të bëhet anëtare e ndonjë partie tjetër me të cilën ndanë qëndrime të njëjta.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme