Takimi i ardhshëm i ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian me ata të Ballkanit Perëndimor do të zhvillohet në Tiranë.
Njoftimin e bëri Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, përmes Twitterit.
“Tirana mikpritëse e takimit të Ministrave të Brendshëm e të Drejtësisë të BE&Ballkanit Perëndimor, gjatë Presidencës austriake të BE-së, në Tetor 2018”, shkroi Xhafaj.
Ministri shqiptar i Brendshëm po qëndron në Austri ku është takuar me Kryetarin e Parlamentit Austriak,Wolfang Sobotka dhe homologun, Ministrin e Brendshëm Herbert Kickl.
“Bashkëbisedim shumë konstruktiv e i frytshëm me kolegun austriak. Projekte të përbashkëta në zhvillim”, ka thënë më tej Xhafaj, ndërsa ka theksuar se Austria është ndër mbështetësit më aktivë për integrimin evropian të Shqipërisë.