Cilësia e ajrit në Toronto është renditur si më e dobëta mes të gjitha qyteteve të mëdha në botë, ndërsa tymi nga zjarret në Ontarion veriperëndimore ka mbuluar qiellin dhe është përhapur drejt verilindjes së Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar paralajmërime të shumta shëndetësore dhe evakuime.
Të mërkurën, zjarret vazhdonin të digjeshin në zona me popullsi të rrallë, qindra milje larg Torontos – qytetit më të madh të Kanadasë – duke përhapur tym në një zonë të gjerë, edhe pse qytetet e zonës nuk janë të rrezikuara
Agjencia “Environment Canada” raportoi një vlerë prej 10+ në Indeksin e Cilësisë së Ajrit dhe Shëndetit për Toronton, nivel që klasifikohet si “rrezik shumë i lartë”. Parashikimet sugjeronin se këto kushte të rrezikshme mund të vazhdonin deri në mbrëmjen e së enjtes.
IQAir, një kompani zvicerane e teknologjisë për cilësinë e ajrit, e renditi Toronton si qytetin me cilësinë më të dobët të ajrit në botë, duke lënë pas Kinshasën në Republikën Demokratike të Kongos dhe Nju Delhin në Indi.
“Shkaktari kryesor i rritjes së menjëhershme të ndotjes së ajrit në Toronto aktualisht janë zjarret në pyje, megjithëse edhe temperaturat mbi mesataren po luajnë një rol,” tha Armen Araradian nga IQAir për agjencinë e lajmeve AFP.
Edhe pse sezoni i zjarreve në pyje në Kanada ka qenë relativisht i qetë këtë vit krahasuar me vitet e fundit, në të gjithë vendin ka më shumë se 800 vatra aktive zjarri.
Tymi nga zjarret në pyje përkeqësoi gjithashtu cilësinë e ajrit përtej kufirit, në Shtetet e Bashkuara, ku u prekën veçanërisht disa shtete.
Autoritetet në New York City kanë lëshuar një alarm për cilësinë e ajrit të pashëndetshëm, duke u bërë thirrje banorëve të zvogëlojnë aktivitetet e lodhshme në natyrë dhe të bëjnë pushime shtesë nëse janë jashtë të mërkurën dhe të enjten.
Më shumë se 80,000 njerëz pritet të ndjekin finalen e Kupës së Botës së FIFA-s në një stadium të hapur në Nju-Xhersi të dielën, ndërsa 50,000 të tjerë planifikojnë ta ndjekin ndeshjen nga Central Parku i Nju-Jorkut, ku qielli dukej i mjegullt.
Guvernatorja e Nju-Jorkut, Kathy Hochul, u bëri thirrje njerëzve, veçanërisht atyre me probleme shëndetësore, që të tregohen të kujdesshëm.