Trafiku i qenieve njerëzore, DASH: Shqipëria s’plotëson standardet për mbrojtjen e viktimave

Prishtinë | 21 Qer 2019 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin për trafikimin e qenieve njerëzore, dhe sipas tij qeveria shqiptare nuk i ka plotësuar standardet e ligjit për mbrojtjen e viktimave.

Shqipëria, është futur në këtë raport në grupin TIER2, ku renditen vendet qeveritë e të cilave nuk i plotësojnë të gjitha standardet e ligjit për mbrojtjen e këtyre viktimave, por bëjnë përpjekje për t’ i plotësuar ato.

“Qeveria shqiptare i ka rritur përpjekjet në krahasim me periudhën e mëparshme, për aktualizimin e standardeve të identifikimit të viktimave, shpërndarjes së fondeve për koordinatorët e viktimave në zyrat e prokurorisë, trajnimet e policisë kufitare dhe asaj të migracionit për çështjet e trafikimit”, theksohet aty.

Por serish nënvizohet se “në disa nga fushat kryesore qeveria nuk ka plotësuar as minimumin e standardeve”. Qeveria shqiptare ka përndjekur dhe gjykuar më pak raste se më parë dhe numri i ndërhyrjeve të forcave të rendit ka qenë më i ulëti në katër vjet. Po ashtu mungojnë përpjekjet për identifikimin e viktimave, ndërsa ekzekutivi ka vazhduar të mos paguajë për strehimoret që mbahen nga organizatat joqeveritare, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.

Në pjesën e dytë të raportit, jepen rekomandime për qeverinë shqiptare, që kanë të bëjnë ndër të tjera me përndjekjen dhe dënimin e trafikantëve përfshirë dhe zyrtarët që bashkëpunojnë, trajnimin e forcave të rendit, kontrollin e vazhdueshëm të popullsisë së prekur më shumë nga trafikimi apo zgjerimin e ligjeve për inspektorët e punës për të kontrolluar bizneset e paregjistruara.

Pjesa e tretë ndërkohë lidhet me ndjekjen penale dhe thotë se: -“Qeveria shqiptare ka ulur përpjekjet për zbatimin e ligjit, duke përmendur mes shumë shembujve edhe faktin që gjykatat kanë dënuar pesë trafikantë në vitin 2018, ndërsa një vit më parë ka pasur shtatë të dënuar”.

Të ngjashme