Trafiku Urban reagon pasi shoferi i autobusit kanosi me armë drejtuesin e një veture

Prishtinë | 16 Jan 2023 | 16:18 | Nga Ekonomia Online

Ndërmarrja publike Trafiku Urban në Prishtinë ka reaguar pasi gjatë ditës së diel një punonjës i kësaj kompanie është përfshirë në një incident në trafik duke nxjerrë edhe armën.

Trafiku Urban ka thënë se ndaj punëtorit në fjalë do të merren masat e parapara me ligj deri në vendimin final të gjykatës.

“Trafiku urban, lidhur me rastin dhe punonjësit e përfshirë në këtë incident, do të marr masat e parapara sipas legjislacionit në fuqi dhe me rregulloren e brendshme të ndërmarrjes, deri në një vendim tjetër nga organet e drejtësisë”, thuhet në reagimin e Trafikut Urban.

Ndërmarrja publike po ashtu u ka bërë thirrje punonjësve të saj që t’iu shmangen sa më shumë incidenteve të mundshme në trafik, derisa për çdo problem t’i njoftojnë organet e rendit.

Trafiku Urban u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndjehen të sigurte që të udhëtojnë me te pasi sipas tyre incidente si ai i ditës së djeshme nuk do të ndodhin më.

Ndryshe, një përplasje verbale dhe ekspozim të armëve raportohet se ka ndodhur të dielën në Prishtinë.

Pas një mosmarrëveshje në trafik, ngasësi i një autobusi, me armë zjarri ka kanosur palën tjetër (ngasësin e një veture), ka njoftuar policia.

Të ngjashme