Ish-deputetja serbe e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare po bën një precedent, sepse të gjithë kufijtë administrativë të ish-Jugosllavisë janë kthyer në kufij të shteteve të sapoformuara.
“Kufiri me Malin e Zi dhe Maqedoninë në fakt është kufiri shtetëror i Serbisë me këto shtete dhe ky është niveli në të cilin duhet dakordohen dhe të bëhet demarkacioni”, paralajmëron Trajkoviq, në një intervistë për mediat serbe.
Lidhur me paralajmërimin se Lista Serbe do të votojë në Kuvendin e Kosovës për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Trajkoviq tha për JUGpress, se “Lista Serbe me pjesëmarrjen e tyre, dhe në qoftë se votojnë për demarkacion, faktikisht legalizon kufijtë e Kosovës si kufij të njohur ndërkombëtarisht. Kjo për shkak se këto marrëveshje ratifikohen edhe në Kombet e Bashkuara, NATO-n dhe institucionet tjera ndërkombëtare, për të cilat Serbia tek duhet të vendosë nëse, se dhe kur si Kosova do të jetë në gjendje, të prezantohet , pa një marrëveshje me Beogradin”, përcjell Telegrafi.
Ajo beson se në një vendim i tillë është vendimtar qëndrimi i udhëheqjes shtetërore në Beograd dhe shtetit serb, “kurse Lista Serbe përcakton shkeljen më të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe, me këtë, në mënyrë të drejtpërdrejtë komprometon disponimin e serbëve të Kosovës. Sepse, pothuajse askush prej serbëve nuk u ka dhënë atyre mandat për të përcaktuar kufijtë e Kosovës si shtet”, tha Trajkoviq.
Në konstatimin se në opinionin dhe mediat serbe askush nuk diskuton për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, Trajkoviq thotë se “për të gjithë tashmë është e qartë se nga marrëveshja e Brukselit, që nga fillimi i bisedimeve, mediat janë mbyllur plotësisht për opinione qëndrime ndryshe lidhur me Kosovën”.
“Publikut i ofrohet ajo që iu konvenon negociatorëve dhe Brukselit, kurse plotësisht janë të përjashtuara mediat dhe opinioni nga ajo që nënshkruhet atje. Kjo është ajo që në fund do të çojë në diçka që unë mendoj se do të jetë një problem i madh rajonal. Opinioni, shqiptar dhe serb, nuk është i informuar me ratifikimet, nuk është në dijeni të marrëveshjeve, nuk ka qasje aktive, nuk ka pranim apo refuzim. Ajo krijon në opinion atë rezultat përfundimtar, i cili do të shkaktojë një shok, e me këtë edhe destabilitet “, tha Trajkoviq.