Trajneri i Islandës: Fati na ndihmoi të marrim 3 pikë kundër Kosovës

Prishtinë | 25 Mar 2017 | 13:46 | Nga

Pas ndeshjes Kosovë-Islandë që përfundoi me rezultatin 1-2, e vlefshme për eliminatorët e Kampionatin Botëror “Rusi 2018″, në një prononcim për mediat, trajneri i skuadrës së Islandës, Heimir Hallgrimsson, ka deklaruar se ishin me fat që dolën me 3 pikë nga kjo ndeshje.

‘’Falënderoj Shqipërinë për mikpritjen. Çdo gjë ka qenë fantastike. Mbase kjo është një kombinim Kosovë-Shqipëri, nuk e di, por dua të them që çdo gjë ishte fantastike”, ka thënë Hallgrimsson. Më pas ai ka shtuar: “Ndërsa përsa i përket lojës ne e dinim që do të ishte një lojë e vështirë, pasi ne kishim mungesa të disa lojtarëve të mirë, por gjithsesi ne kishim fat që shënuam golin e parë. E morëm veten pas golit të parë dhe gjysmën e dytë të pjesës së parë luajtëm mirë.”

Ndërkohë në vijim trajneri i Islandës ka theksuar: “Gjithsesi bashkë me lojën ishte pak dhe fati që na ndihmoi të marrim 3 pikë nga kjo ndeshje. Pas kësaj ndeshjeje ne do të përballemi me Kroacinë në ndeshjen e ardhshme e cila do të jetë një lojë e fortë. Shpresojmë që të bëjmë një lojë të mirë dhe të ecim përpara.”

Ndërsa trajneri i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, në fjalën e tij gjatë konferencës përpara gazetarëve pas ndeshjes me Islandën tha se kjo ka qenë loja më e mirë në gjitha ndeshjet e fundit që ka luajtur skuadra e Kosovës.

“E kemi ditur që do të jetë një lojë e vështirë. Gjatë pjesës së dytë kemi kërkuar me çdo kusht barazimin e rezultatit. Nuk e di nëse ka qenë ose jo penallti, por personalisht mendoj që pozicioni ishte penallti. Mendoj që kjo është loja më e mira e jona në 5 ndeshjet që kemi luajtur”, tha Bunjaki.

Në vijim të fjalës së tij ai shtoi: “Menduam të bëjmë ndërrime duke rritur presionin në sulm. Do të vazhdojmë të forcohemi.”

Të ngjashme