Fatkeqësisht, jeta e përditshme e Romëve në Ballkanin Perëndimor (BP) nuk ngjason aspak kremten e Shën Gjergjit buzë lumit, ku vajzat lodrojnë me kurora lulesh përmbi kokë, nën tingujt e muzikës melankolike aq të njohur dhe të dashur për të gjithë. Të dhënat flasin për një privim të konsiderueshëm material të 83-94 për qind të familjeve vulnerabël Rome përgjatë të gjithë rajonit të zgjerimit të BE-së.
Romët janë një prej grupeve më të privuara dhe më të përjashtuara në BP. Megjithëse raportet më të fundit tregojnë se numri i vajzave dhe djemve Romë që ndjekin arsimin parësor të detyrueshëm është rritur gjatë 10 viteve të fundit, frekuentimi i arsimit dytësor është shumë i ulët. Shkalla e të rinjve, pra e grupmoshës 18-24 vjeç që nuk janë të punësuar, nuk ndjekin arsimin apo formimin profesional është e lartë, ku shifrat luhaten nga 73 në Serbi deri në 86 për qind në Bosnjë-Hercegovinë.
Te gratë, kjo shifër luhatet midis 81 (Republika e Maqedonisë së Veriut) dhe 93 për qind (Mali i Zi). Shifrat tregojnë se Romët kanë më pak gjasa që të kenë akses në kujdes shëndetësor krahasuar me fqinjët joromë.
Shumë vendbanime rome, duke filluar nga 10 për qind në Republikën e Maqedonisë së Veriut deri në më shumë se gjysma e popullsisë rome në Shqipëri, nuk kanë akses në ujë të rrjedhshëm.
Të gjitha këto të dhëna tregojnë se në të gjitha shoqëritë e Ballkanit Perëndimor duhen ndërmarrë politika të reja dhe efikase për të siguruar njohjen dhe përfshirjen e romëve si pjesëtarë produktivë të shoqërisë, të integruar plotësisht dhe me të drejta të barabarta në të gjitha sferat e jetës së përditshme.
Deklarata e Partnerëve të BP-së mbi Integrimin e Romëve në procesin e Zgjerimit të BE-së, që u miratua gjatë Samitit të BP-së në Poznan, parashtron se ekonomitë e BP-së duhet të bëjnë çdo përpjekje për të rritur punësimin, përmirësuar legjislacionin mbi strehimin ku të jetë e mundur, rritur shkallën e përfundimit të arsimit parësor dhe dytësor, shkallën e mbulimit me sigurim shëndetësor dhe të regjistrimit në gjendjen civile të të gjithë romëve, si dhe për të vijuar luftën ndaj diskriminimit të romëve. Angazhimi i tyre ambicioz dhe motivues për të vijuar dhe shtuar përpjekjet për barazinë dhe integrimin e plotë të romëve në shoqëritë e tyre është një hap tejet i rëndësishëm për integrimin e romëve.
Absolutisht që një dokument i vetëm nuk mund t’i japë zgjidhje situatës së thuajse 600 vendbanimeve informale rome në Serbi, apo të sigurojë imunizimin e plotë të fëmijëve romë në Republikën e Maqedonisë Veriore. Për të rritur shkallën e punësimit të Romëve dhe të rinjve Romë që kanë përfunduar arsimin dytësor, vetë qeveritë duhet të miratojnë politika, të alokojnë buxhete përgjigjëse ndaj romëve, të marrin masa dhe të monitorojnë në terren në të gjitha nivelet nëse këto politika apo masa depërtojnë te Romët në përditshmërinë e tyre. Përndryshe, kjo Deklaratë do të mbetet thjesht një copëz letre.
Projekti i Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal mbi Integrimin e Romëve, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe fondacionet e Shoqërisë së Hapur lehtësoi procesin e miratimit të kësaj Deklarate, e cila erdhi si iniciativë e qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo Deklaratë ofron udhëzime për qeveritë, bashkëpunimin rajonal dhe përpjekjet për integrimin evropian mbi çështjen e integrimit të romëve. Sigurisht që, në vetvete, Deklarata është një proces. Ndaj, sot ka më shumë rëndësi se kurrë që të kthejmë kokën pas dhe të shohim se sa larg kemi arritur dhe çka është më e rëndësishmja, se edhe sa larg duhet të shkojmë në rrugën e integrimit të romëve, si pjesë e procesit të zgjerimit të BE-së dhe bashkëpunimit rajonal.