Tranzicioni i gjatë i FSK-së drejt një force ushtarake

Prishtinë | 03 Nën 2019 | 17:01 | Nga Ekonomia Online

Forca e Sigurisë së Kosovës po e përmbyll vitin e parë të tranzicionit drejt shndërrimit në Forcë me kapacitete ushtarake.

Njohësit e fushës së sigurisë, vlerësojnë se FSK nuk ka bërë ndonjë transformim që mund të vërehet si e arritur e veçantë. Kurse përfaqësuesit e institucioneve thonë se me gjithë sfidat e paraqitura, që nga miratimi dhe hyrja në fuqi e tri ligjeve përkatëse, atij për Ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, punët në drejtim të transformimit kanë ecur sipas parashikimeve.

Burim Ramadani, zëvendësministër në largim i Mbrojtjes, tha për Radion Evropa e Lirë se deri tani është arritur që të konsolidohen disa kapacitete për të vazhduar edhe me punët e tjera operacionale.

“Në Forcën e Sigurisë së Kosovës është themeluar Shtabi i Përgjithshëm. Janë themeluar katër komandat kryesore. Është rritur numri, është pranuar një numër i pjesëtareve të rinj dhe si e tillë ka vazhduar puna në aspektet e tjera. Ministria është në përfundim të fazës së tranzicionit në Ministri të Mbrojtjes dhe në përgjithësi mund të them se tashmë kemi Ministri dhe Forcë në kapacitete edhe administrative, politike dhe operacionale që i përgjigjet kërkesave dhe detyrimeve ligjore”, tha Ramadani

Ramadani tha se Kosova i ka të definuara politikat e saj në rrafshin e mbrojtjes.

“Qeveria ka marrë vendim që edhe Aeroporti i Gjakovës të jetë nën menaxhimin e Ministrisë së Mbrojtjes së FSK-së, në mënyrë që për çfarëdo lloj zhvillimi të kapaciteteve, të kemi edhe hapësirat e nevojshme”, tha Ramadani.

Forca e Sigurisë së Kosovës në vazhdimësi është ngritur edhe nën mbikëqyrjen e NATO-s, duke synuar që pas një faze tranzicioni prej 7-10 vjetësh, edhe Kosova të jetë pjesë e Aleancës Veriatlantike.

Aktualisht, Kosova ka një Qeveri në largim. Kurse Qeveria në ardhje e Kosovës, sipas Ramadanit, duhet ta ketë parasysh komponentin e vazhdimësisë së partneritetit ndërkombëtar dhe vazhdimin e politikave strategjike.

“Patjetër ta ruajnë orientimin pro-amerikan, respektivisht modelin amerikan dhe rrjedhimisht modelin e NATO-s në sistemin e armatimit, pajisjeve dhe të komunikimit, kurse elementi i dytë që të vazhdojnë politikat e mbrojtjes dhe besoj edhe programit që ne e kemi paraqitur në strategjinë e sigurisë kombëtare, programin për edukim kombëtar në siguri dhe mbrojtje”, tha Ramadani.

Plator Avdiu, njohës i çështjeve të sigurisë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se nga punët e bëra deri më tash nuk shihet se është punuar shumë në ketë drejtim dhe se sipas tij, as në këtë vit dhe as në vitin e ardhshëm, nuk është se mund të pritet shumë në drejtim të një avancimi të punëve për transformim.

“Publikisht mund të duket se janë të ngathët dhe nuk po shohim shumë gjëra konkrete, mirëpo po mendoj që edhe nuk mund të pritet shumë gjatë kësaj faze, përveç ndoshta mund të arrihet pak më tepër në rritjen e numrit të pjesëtarëve, personelit të rekrutëve të ri dhe ndoshta edhe i rritjes së buxhetit nga viti në vit”, tha Avdiu.

Avdiu konsideron se institucionet e Kosovës, sikur nuk po nxitojnë t’i kryejnë punët dhe obligimet e tyre me një ritëm më të shpejtë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme