Më shumë se 16 vjet të jetës sime i kam kaluar duke punuar së bashku me policinë ndërkombëtare, e cila e ka rekrutuar, krijuar, ndërtuar, zhvilluar, drejtuar, trajnuar, mentoruar dhe monitoruar Policinë e Kosovës. Gjatë këtyre viteve, një mëngjes të hershëm, derisa t’gjithë po flinin rehat, bashkë me policinë tonë shkuam ta arrestojmë një telashexhi. Nga përvoja kam mësuar se ka telashexhi që paraqiten si të tillë dhe janë “kingja” dhe ka telashexhi tamam.
Ky, i asaj dite, ishte i grupit të dytë. As një sekondë nuk kaloi nga krisma e derës, që specialët e shpërthyen, kur u dëgjuan krismat e mprehta të armës së zjarrit. Ne u mbështetëm për muri, pasi njri nga ta ishte plagosur, njësia speciale ktheu zjarrin, nuk e teproi, telashexhia u neutralizua duke u plagosur lehtë dhe gjithçka u qetësua.
Kur u kthyem në bazë dhe pas përfundimit të punës së detyrueshme me letra, mbikëqyrësi ynë, një anglez i rreptë, erdhi dhe u ul në zyrën tonë. Vetëm unë dhe shoku im kishim qenë të paarmatosur në tërë atë tollovi disa-sekondëshe dhe shefi donte të dinte si ndjeheshim. I thamë se jemi mirë. Na pyeti dhe na sugjeroi ndihmë mjekësore, duke përfshirë atë psikiatrike. Duke buzëqeshur, ne “trimat” i thamë se nuk ka nevojë. Na e kujtoi se kjo punë nuk ishte punë trimërie, por traume. Ne, prapë, i thamë se ishim OK. Në rregull, tha, atëherë merreni ditë të lirë dhe shkoni pushoni. Prapë, refuzuam – nuk kishim asgjë. Atëherë, si ishte ulur pranë nesh, u ngrit në këmbë, na e tregoi derën në mënyrë autoritative dhe na urdhëroi të shkonim në shtëpi, të pushonim e të qetësoheshim. Do të flisnim të nesërmen për traumën.
Nuk e di, lexues i dashur i këtyre rreshtave, a ke pasur rastin të takosh shumë shqiptarë që thonë se “nuk ka popull më të fortë se ne”, “ja, shiko, shkoi lufta dhe nuk na la asnjë traumë”, “nuk kemi nevojë për psikiatër ne”, e të ngjashme si këto. Mua, personalisht, më ka rënë rasti të dëgjoj se “ndodhi çfarë ndodhi, ama kurrfarë traume s’patëm” e kështu me radhë? Po ashtu, edhe reagimi i institucioneve shtetërore tregon për mungesën totale të qasjes ndaj kësaj murtaje. E thënë thjesht, kjo shoqëri nuk e di, nuk e njeh dhe nuk e pranon se kemi pasur dhe as se kemi ende traumë. E, pa e pranuar, qartë, haptas dhe pa ekuivoke se kemi kaluar nëpër situata traumatike, që domosdo lënë pas traumën, stresin dhe çrregullimin e stresit posttraumatik, nuk mund të shërohet.
Së pari, edhe pa qenë specialist i fushës, mund të thuhet me siguri se ne bartim traumën e vitit 1913, 1918 dhe 1945. Në qenien tonë, në ashtin tonë, në gjenin tonë, ne kemi trashëguar traumat e pashërueshme të këtyre plojave. E çfarë kanë qenë vitet 1913, 1918 dhe 1945? Pa hyrë në histori, ne mund të tregojmë se çfarë kanë qenë këto vite, me një fjali. Paramendoni, nëse në qershorin 1999, lufta do të ndalej – kinse do të përfundonte – por serbët prapë të vazhdonin të sundonin këtë vend, asnjë i huaj të mos guxonte të afrohej të shihte se çfarë kishte ndodhur dhe ky popull të përpiqej të ndërtonte jetën e t’i ngryste ditët në atë mjedis. Eh, a e kuptuat? Vitet 1913, 1918 dhe 1945 kanë qenë kështu. Dhe, me anën e gjenit tonë, padashur, ne trashëgojmë ato trauma. Mirëpo, të flasim për traumën më të re!
Si dështuam ta shërojmë traumën e luftës së fundit?
Babai im është kthyer i pari në shtëpi pas plojës së vitit 1999. Kur kishte hyrë në oborrin e shtëpisë, kishte parë se bari, jo vetëm që ishte rritur deri në fyt, por kishte filluar ta mbyllë edhe portën e shtëpisë. Që nga momenti kur kishte parë derën e shtëpisë gati të mbyllur nga barishtet, nuk kujtonte më asgjë. Gjithçka ishte shlyer. Një zhurmë po bllokonte krejt qenien e tij. Qetësia që vinte nga oborri dhe shtëpia, dikur aq e gjallërishme, po krijonte një ushtimë në kokën e tij, po ulëronte. Po e vriste, po ia vriste kujtimet babait tonë. Mirëpo!
Së pari, erdhi mbijetesa. Strehimi, banimi, ushqimi, pastrimi i shtëpisë dhe i trollit, rehatia minimale që të kthehemi prapë në qenie humane. Pastaj ekzistenca. U përpoqëm t’i kthehemi punës, t’i kthehemi mësimit, t’u kthehemi studimeve, t’i kthehemi jetës. Pas kësaj, erdhi koha për shërimin e traumës. Mu në këtë kohë, u kthjellëm pak dhe shikuam përreth. Ajo çfarë pamë nuk na e hoqi traumën, përkundrazi na e shtoi, na e acaroi. Na alarmoi!
Me lemeri, pamë se sharlatanët e kishin okupuar jetën tonë. Injorantë, kriminelë, primitivë e militantë të një kauze morbide, kishin okupuar krejt hapësirën, ku kjo popullatë do të mund të shëronte traumat e veta. Një klasë oportunistësh, grabitçarësh e pakurrizorësh po e ngulfaste këtë popull dhe po e shkatërronte Kosovën.
Ishte kjo e fundit, bashkë me formimin tonë të çuditshëm (ne, çmendurisht, ende po dështojmë të zgjohemi dhe të kalojmë në kohën bashkëkohore, e cila moti ka arrritur), që e la këtë popull pa e trajtuar traumën. Traumën personale por edhe atë kolektive.
Dhe kjo është ndër arsyet kryesore pse jemi ku jemi, sillemi si sillemi, flasim si flasim, e rrejmë vetveten, e rrejmë shoqi-shoqin, e rrejmë Kosovën dhe e rrejmë botën.
Dhe, duket se do të vazhdojmë kështu edhe për një kohë!