Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli nuk janë unikë në qëndrime për temat më të vështira për Kosovën. Thaçi dhe Haradinaj janë “në një vijë” për Gjykatën Speciale, por në pozicione diametralisht të kundërta për Demarkacionin.
Kjo e fundit dhe Specialja ndajnë kryeministrin dhe kryeparlamentarin.
Tre liderët e Kosovës presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe kryeparlamentari Kadri Veseli nuk janë unikë në qëndrime për temat më të vështira me të cilat po ballafaqohet vendi.
Derisa presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj vazhdojnë ta kundërshtojnë Gjykatën Speciale, kryeparlamentari Veseli së fundmi ka ndryshuar qëndrim dhe ka dalë pro kësaj të fundit.
Dihet se Thaçi dhe Haradinaj janë “në një vijë” për Specialen, por janë në pozicione diametralisht të kundërta për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, shkruan “Zëri”.
Thaçi dhe Veseli insistojnë se me Marrëveshjen e Demarkacionit Kosova nuk humb territor, ndërsa Haradinaj e pohon të kundërtën.
Haradinaj më herët sa ishte në opozitë ka protestuar edhe për Marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke thënë se kjo marrëveshje e “bosnjëzon” Kosovën, argumente këto që nuk e bindin Thaçin dhe Veselin.