Minatorët e Trepçës po hyjnë në muajin e tretë pa paga, duke u përballur me një krizë të rëndë ekonomike që po prekë drejtpërdrejt jetesën e tyre dhe të familjeve të tyre. Situata është bërë akoma më kritike për shkak të mungesës së veprimit nga ana e Qeverisë së Kosovës, e cila, megjithëse zotëron aksionet e ndërmarrjes, ende nuk ka ndërmarrë masa konkrete për të zgjidhur këtë problem. Minatorët dhe përfaqësuesit e tyre janë duke kërkuar me ngulm një zgjidhje, pasi kriza po përkeqësohet dhe po rrezikon stabilitetin e sektorit minerar dhe mirëqenien e qindra familjeve.
Jonuzi: Gjendja në Trepçë po shkon duke u rënduar
Në lidhje me mos ekzekutimin e pagave janë deklaruar nga Sindikata e Trepçës. Kreu i Sindikatës, Ibrahim Jonuzi deklaron për Front Online se ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare.
Letra e dërguar dje, sipas tij, ka shkaktuar konfuzion për shkak të mos koordinimit dhe ka bllokuar situatën.
Ai thekson se gjendja vetëm po shkon duke u rënduar, derisa thotë se nuk mund të parashihet çfarë do të ndërmarrin minatorët
“Ende nuk kemi marre përgjigje zyrtare ,dje ka ardhur një letër propozim, mirëpo po del qe janë të pakoordinuar mirë, pavarësisht se dje ka ardhur ajo letër, sot është blloku gjithçka. Tash ankesat janë zakonisht shume të rënda sepse gjendja veç po shkon tu u rëndu po nuk mundemi me parashikuar çka kane me ndërmarrë”, tha ai.
Shala: Qeveria ‘Kurti’ e papërgjegjshme me minatorët
E për gjendjen e minatorëve aktualisht në ndërmarrjen Trepça ka folur kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ndërmarrësi e Tregti, Ferat Shala.
Deputeti nga radhët e PDK-së për FrontOnline ka thënë se Qeveria po tregon indiferencë dhe papërgjegjshmëri ndaj minatorëve të Trepçës dhe një gjigandi industrial që mund të jetë kyç për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Qeveria e Kosovës po tregohet tashmë shumë indiferente dhe e papërgjegjshme në raport me aksionet e veta qe ka në ndërmarrjen Trepça si aksionar kryesor me 80 % po tregohet indiferente dhe e papërgjegjshme me të gjithë minatorët e Trepçës, po qa është me e keqja po tregohet e papërgjegjshme me një gjigand industrial potencialisht të rëndësishëm për zhvillimin e mundshëm ekonomik të vendit dhe sektorit minerar”, thekson deputeti Shala.
Shala po ashtu thotë se dëmi është jashtëzakonisht i madh, jo vetëm që minatorët po përjetojnë vështirësi të shumta, por edhe sektori në tërësi po goditet rëndë.
Sipas tij, shkatërrimi i substancës ekonomike të Trepçës rrezikon të ndikojë në mënyrë të thellë dhe të zgjatur në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Fatkeqësisht jo vetëm minatorët qe s’po marrin paga po përgjithësi sektori po goditet sepse shkatërrimi ekonomik dhe juridik i ndërmarrjes Trepça me papërgjegjësinë menaxhuese do te ketë refleksion vite e vite ne ekonominë e n vendin tone. Demi është jashtëzakonisht i madh veç minatorëve qe po goditen pandershëm ne gjithë dimensionin e tyre po goditet sektori dhe po shkatërrohet substance ekonomike e ndërmarrjes Trepça”, shtoi Shala.
Kryetari i Vushtrrisë: Ndjejë keqardhje për gjendjen në ndërmarrjen “Trepça”
Për FrontOnline ka folur edhe Kryetari i Vushtrrisë Ferit Idrizi, duke e marrë parasysh numrin e madh të qytetarëve nga Vushtrria që punojnë në Trepçë.
Ai është solidarizuar me minatorët ka shprehur keqardhje dhe ka theksuar se nuk ka ankesa të drejtpërdrejta në komunë ka ankesa vetëm karshi qeverisë
“Unë solidarizohem me ata punëtor qe punojnë atje ndiej keqardhje. Ankesa nuk ka në komune ato i kanë drejtuar në qeveri përndryshe nuk ka ankesa tek ne”, tha ai.
Situata në Trepçë paraqet një krizë të thellë për sektorin minerar dhe ekonominë e Kosovës, duke kërkuar veprime urgjente dhe të koordinuara nga autoritetet për të adresuar problemet dhe mbrojtur interesat e minatorëve dhe të vendit.