Tregtia e jashtme ka pësuar goditje të ndjeshme si pasojë e pandemisë Covid-19. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, importi për muajin gusht ka pësuar rënie prej -15.6 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Megjithatë, kjo rënie është më e vogël krahasuar me muajin prill, kur rënia ishte 34.4 për qind. Kjo rënie e importeve ndikon edhe në rënie të të hyrave buxhetore.
Por, për dallim nga importi, eksporti ka pasur një rritje prej 7.6 për qind. Kjo ka ndikuar që deficiti tregtar të jetë më i ulët për -18 për qind në muajin gusht, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Deficiti ishte 228.9 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar ishte 279.9 milionë euro.
Gjatë muajit gusht u importuan mallra në vlerë 263.3 milionë euro, ndërsa u eksportuan 34.3 milionë euro.
Mallrat që hyjnë në Kosovë kryesisht vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian. Nga këto shtete gjatë gushtit u importuan mallra në vlerë rreth 117.5 milionë euro ose 44.7 për qind e importeve të përgjithshme. Megjithatë, kjo shifër paraqet rënie të importeve nga këto vende për -26.6 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Importet me pjesëmarrjen më të lartë ishin nga Gjermania me 13.6 për qind, Italia me 5.6 për qind, Sllovenia me 3.2 për qind, Greqia me 3.1 për qind etj.
Importet nga vendet e CEFTA-s gjatë muajit gusht arritën vlerën në 52.3 milionë euro ose 19.9 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 10.9 për qind. Vendet me pjesëmarrjen më të madhe të importit ishin Shqipëria me 6 për qind, Serbia po ashtu me 6 për qind dhe Maqedonia e Veriut me 5.8 për qind.
Kosova po ashtu ka importuar edhe nga vendet e tjera të botës. Vetëm nga dy partnerët e saj tregtarë, Turqia dhe Kina, ajo importoi mallra në vlerë prej 93.3 milionë eurosh ose 35.5 për qind të importeve të përgjithshme. Nga Turqia ajo ka importuar 13.2 për qind të këtij malli, ndërsa nga Kina importoi 10.6 për qind.