“Trepça” pa plan për riorganizim, rrezikon me likuidim

Prishtinë | 06 Sht 2016 | 09:33 | Nga

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), pavarësisht se ka kryer disa nga punët që të bëjë planin për riorganizimin e “Trepçës”, nuk dihet nëse një dokument i tillë, do të jetë i gatshëm më 1 nëntor të këtij viti, ashtu siç kërkohet me ligj.

Edhe Qeveria gjatë muajit prill ka formuar komisionin ndërministror për hartimin e draft-ligjit për “Trepçën”, por që ende një dokument i tillë nuk ka kaluar në Qeveri, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Nëse deri në nëntor të këtij viti asnjëri nga dokumentet nuk hartohet, atëherë “Trepça” rrezikohet të shkojë në likuidim.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se për këtë çështje duhet drejtuar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) ku nga kjo e fundit gazeta nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Por, burime te gazetës brenda Ministrisë kanë bërë të ditur se një dokument i tillë nuk është dërguar në Qeveri pasi që nuk është finalizuar në tërësi.

Ndërsa, Ahmet Tmava, drejtor i kësaj kompanie, ka thënë se “Trepçës” i duhet një zgjidhje urgjente.

Ai thotë se edhe pse ka vonesa në draft-ligjin për “Trepçën” nuk beson se kjo ndërmarrje mund të shkojë në likuidim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme