Xhiroja e 23-të e Superligës së Kosovës u zhvillua me vetëm pesë ndeshje, për shkak se Prishtina-Flamurtari është vendosur të luhet më 27 mars.
Nga pesë duelet e tjera, vendësit ishin të pamposhtur në këtë fundjavë, ku korrën tre fitore e dy duele të tjera përfunduar baras.
Fitoren më të thellë të kësaj xhiroje e shënoi lideri Feronikeli, që i mposhti mitrovicasit e Trepçës ’89, me shifrat 5:0. Nikli njëherësh me fitoren 5:0 bën që kjo skuadër ta ketë sulmin më të mirë në ligë me 43 të gola shënuar, raporton KTV. Kjo skuadër e shënoi edhe fitoren më të thellë sezonale, dhe mbetet pa humbje në 12 ndeshje.
Në minutën e 29-të u shënua një autogol nga Pllana, ndërsa në pjesën e dytë, ekipi nga Drenasi realizoi tre gola tjerë.
Mendurim Hoti në minutën e 49-të, Carioca në minutat ‘53 dhe ‘59 dhe Kastriot Rexha gjashtë minuta para fundit, ishin meritorët që vendësit triumfuan me pesë gola epërsi.
Llapi bëri hap fals në luftë për titull duke barazuar me Ballkanin 1:1, një pikë shumë e vlefshme për ekipi nga Suhareka.
Të parët kaluan në avantazh mysafirët me Jetmir Topallin në minutën e pestë, kurse barazimi i rezultatit erdhi shtatë minuta para fundit, kur pas penalltisë së fituar nuk gaboi Mentor Zhdrella.
Kampionia në fuqi Drita vazhdoi me seri të fitoreve, duke marrë pikët e plota për herë të katërt rresht.
Me rezultat 2:0 fitoi kundër Lirisë dhe e përforcoi pozitën e katërt, ndryshe prej prizrenasve që janë vazhdojnë luftën për mbijetesë.
Për “Intelektualët” shënuan nëpërmjet rezervistëve Filonit Shaqiri dhe Betim Haxhimusa në minutat 78-të dhe 80-të.
E me shifrat 2:0 fitoi edhe Gjilani ndaj KEK-ut.
Për “Skifterat” ishte fitorja e parë në stinorin pranveror dhe kjo u arrit me mund të madh.
Golin e parë e realizoi Shpend Asani në minutën e tretë të kohës shtesë, ndërsa dy minuta më vonë, në listën e realizatorëve u shënua edhe Wilber Perez.
KEK-u, ende mbetet me një pikë të fituar në vjeshtë.
Takimi i vetëm që përfundoi pa gola në këtë javë ishte Drenca – Ferizaj, edhe pse rastet nuk munguan.