Brenda universit të gjerë letrar e publicistik, shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, ka shkruar disa “histori” të çuditshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, shkruan sot Koha Ditore.
Ai ka shkruar një “histori” të Shqipërisë me Dante Aligierin (“Dantja i pashmangshëm”), një tjetër me personazhin tragjik të Shekspirit, Hamletin (“Hamleti, princ i vështirë”) dhe së fundi, një “histori”, po ashtu të pazakonshme, me mbretëreshën shqiptare, Geraldina Zogun.
Duke e vënë karakterin hakmarrës të Hamletit në kontekstin shqiptar te eseja e gjatë “Hamleti, princ i vështirë”, Kadare e ka zbritur personazhin tragjik të Shekspirit në truallin e shqipeve duke na zbuluar kështu kompleksin hamletian të shqiptarëve: atëvrasjen.