Formimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe do të jetë qëllimi kulmor, të cilin Lista Serbe do të përpiqet ta realizojë gjatë vitit 2018, deklarojnë zyrtarët e këtij subjekti politik, i cili përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës.
Igor Simiq, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se komuniteti serb i Kosovës pret që në vitin 2018 të nisë zgjidhja e problemeve, me të cilat ballafaqohet ky komunitet, ndërkaq që problemi që konsiderohet si parësor, sipas tij, mbetet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, sipas tij, formimi i Asociacionit mbetet në duart e Prishtinës zyrtare, e cila ka marrë obligimin për një gjë të tillë me marrëveshjen në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Simiq shpreh mendimin që, në këtë drejtim, Qeveria e tanishme e Kosovës duhet të tregohet më e guximshme në raport me qeveritë e kaluara dhe të fillojë me procesin e formimit të Asociacionit.
“Ka ardhur koha kur duhet të merren vendime të guximshme. Shumë njerëz e parashohin që viti 2018 do të jetë vit, në të cilin do të jetë e nevojshme që të merren vendimet tilla. Kemi, në njërën anë, thirrjet e tilla të bashkësisë ndërkombëtare, si nga Brukseli dhe Uashingtoni, por edhe të atyre që janë në Kosovë. Në anën tjetër, Lista Serbe, si përfaqësuese e popullit serb në Kosovë, absolutisht gjithmonë do ta mbështesë propozimet që çojnë kah formimi i Bashkësisë së komunave serbe, por edhe gjërave tjera që janë me interes për popullit serb”, theksoi Simiq.
Por, javë më parë, Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk konsiderohet çështje urgjente.
“As nuk është urgjente dhe as nuk do të thotë diçka shumë e ngutshme për Qeverinë e Kosovës, sepse së pari duhet të hartohet draft-statuti, e pastaj të rishikohet dhe sipas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese dhe Marrëveshjes së Brukselit, duhet të shkojë sërish për konfirmim në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Matoshi.
Por, Simiq ka hedhur poshtë mundësinë që Lista Serbe do të pranojë që formimi i Asociacionit të bëhet në bazë të verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, gjë që precizohet në Marrëveshjen së Brukselit, e gushtit të vitit 2015. Sipas tij, Asociacioni duhet të formohet sipas marrëveshjes së vitit 2013, në të cilën ishte arritur pajtimi që të formohet Asociacioni.
“Lista Serbe nuk do të heqë dorë nga ajo që Bashkësia e komunave serbe të formohet, ashtu siç është arritur pajtimi në Bruksel. Marrëveshja e Brukselit, e vitit 2013, e cila e parasheh formimin e Bashkësisë së komunave serbe është ratifikuar nga ana e Kuvendit të Kosovës si dokument ndërkombëtar. Si tillë, juridikisht ka fuqi më të madhe sesa Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese”, tha Simiq.
Por, njohësi serb i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, më herët kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se Prishtina zyrtare duhet të tregojë urtësi dhe ta zgjidhë problemin e formimit të Asociacionit. Por, sipas tij, marrëveshja e vitit 2013 është vetëm pajtim në parim, ndërkaq, formimi i Asociacionit duhet të bëhet sipas marrëveshjes së vitit 2015. Në këtë të fundit, siç ka thënë Nojkiq, në mënyrë të qartë thuhet se Asociacioni i komunave me shumicë serbe formohet sipas ligjeve të Kosovës dhe që Gjykata Kushtetuese është e obliguar të shpallë kushtetutshmërinë. Këmbënguljen e Listës Serbe, ai e quan të kotë.
“Kjo që e kanë nënshkruar në vitin 2015 dhe tash kinse po e kthejmë prapa, nga kjo nuk do të dalë asgjë. Ky tashmë është dokument zyrtar, kështu shkruhet aty dhe ky është rrëfim i përfunduar”, pati thënë Nojkiq.
Sidoqoftë, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas zyrtarëve të Listës Serbe, është vetëm një nga tri qëllimet kryesore të këtij subjekti politik për vitin 2018.
Siç ka thënë Simiq, kthimi i të zhvendosurve dhe mbijetesa e serbëve që jetojnë në Kosovë, si dhe arritja e sigurisë ekonomike dhe juridike për ta, mbeten sfidat dhe qëllimet esenciale, të cilat Lista Serbe do të përpiqet t’i realizojë gjatë vitit 2018. (Marrë nga REL)