Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, u prezantua sot rezultati i projektit: “Diagnoza dhe mbikëqyrja e Etheve Hemorragjike Krime – Kongo, Biosiguria në Kosovë 2013-2016 dhe 2017-2019”, projekt i mbështetur nga programi i partneritetit gjerman për ekselencë në siguri biologjike dhe shëndetësore – Ministria Federale e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, implementuar nga Instituti për Mjekësi Tropikale “Bernhard Nocht”- Hamburg, në bashkëpunim me Klinikën Infektive të QKUK-së, IKSHPK dhe Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Prof. Hamdi Ramadani e hapi takimin duke falënderuar të gjithë akterët e realizimit të projektit, duke theksuar se falë projektit të realizuar me mbështetjen e Qeverisë Gjermane, janë ngritur kapacitetet profesionale dhe me pajisje diagnostike, për çfarë do të shërbejnë që Kosova të jetë edhe më e përgatitur në luftën kundër Etheve Hemorragjike.
Profesori Sali Ahmeti nga Klinika Infektive – QKUK tha se viti 2013 ka qenë më sfiduesi për Kosovën me Ethet Hemorragjike. Nga ky vit falë mbështetjes së Qeverisë Gjermane përmes Institutit për Mjekësi Tropikale “Bernhard Nocht”- Hamburg, dhe angazhimit edhe të Qeverisë së vendit me formimin e Këshillit Ndërministror për EHKK, gjatë tri viteve të fundit përkundër pickimeve që janë shkaktuar nga rriqrat, asnjë nuk ka përfunduar me fatalitet.
Christina Gehlsen, zëvendës-ambasadore e Gjermanisë në Kosovë, tha se Kosova është vlerësuar si partnere e mirë e bashkëpunimit dhe meqenëse projekti është vlerësuar i suksesshëm dhe mjaft i rëndësishëm për Kosovën, Qeveria Gjermane ka vazhduar të mbështesë këtë projekt edhe për tri vitet e ardhshme.
Dr. Petra Emmerich nga Instituti për Mjekësi Tropikale “Bernard Nocht” – Hamburg, tha se qëllimi i projektit është parandalimi i sëmundjeve mikrobiologjike si dhe parandalimin e përhapjes së tyre në nivel global.
Prezantimi i aktiviteteve të projektit është bërë nga dr. Lindita Ajazi – Berisha nga Klinika Infektive, dr. Xhevat Ukaj nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe prof. Kurtesh Sherifi nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë.
Ata thanë se falë mbështetjes së Qeverisë së Gjermanisë, si në ngritjen e kapaciteteve profesionale me anë të vizitave studimore jashtë Kosovës dhe marrjen pjesë në Konferenca Ndërkombëtare ashtu edhe me mbështetje me pajisje diagnostikuese është arritur suksese dhe përparim i ndjeshëm në luftën kundër Etheve Hemorragjike Krime – Kongo, duke bërë thirrje për kujdes, marrje të masave preventive dhe të vazhdohet me mbikëqyrje, ngase Kosova ende cilësohet si rast endemik.
Më pas nga të pranishmit është vizituar reparti i pacientëve me EHKK në Klinikën Infektive si dhe Departamenti i Mikrobiologjisë në IKSHPK.