Trump përjashton Apple nga tarifat federale, kompania vazhdon prodhimin në ShBA

Prishtinë | 25 Sht 2019 | 11:22 | Nga Ekonomia Online

Pas muajsh të tërë pritjeje, Apple njoftoi se prodhimi i kompjuterit MacPro do të kryhet në Texas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kompania u shpreh se do të vazhdonte të prodhonte kompjuterin në vend falë një përjashtimi federal të tarifave, për disa nga pjesët kryesore të pajisjes.

Gjatë verës, burime nga kompania treguan se Apple mund të transferonte prodhimin e produktit në Kinë për shkak të luftës tregtare midis dy vendeve dhe tarifave të larta, që jo vetëm kishin rrëzuar fitimet, por po rrisnin shpejt edhe kostot operacionale.

Kompjuteri MacPro i Apple ka nevojë për komponentë nga Kina, por pjesët janë bërë më të shtrenjta për shkak të tarifave amerikane mbi mallrat kineze. Gjatë fundjavës, duket se administrata e Donald Trump toleroi pak dhe i dha Apple një përjashtim nga tarifat në përbërësit e nevojshëm kinezë të MacPro.

Njoftimi i kompanisë rreth qëndrimit në SHBA, besohet të pritet mirë nga Presidenti Trump, i cili ka bërë presion ndaj kompanive të teknologjisë për të riatdhesuar pjesën më të madhe të prodhimit të tyre. Aq më tepër shtuar këtu faktin se MacPro është një produkt i vyer që fillon me 6 mijë dollarë dhe është projektuar për përdoruesit profesionistë të prodhimit dhe redaktimit të videove, përcjell Telegrafi.

Megjithatë, përveç MacPro, kompania ka një game të gjerë produktesh. Prodhimi i shumicës së produkteve të saj, veçanërisht iPhone, i cili gjeneron rreth gjysmën e të ardhurave totale të kompanisë, ka të ngjarë të mbetet në Kinë. Ndërsa lufta tregtare SHBA-Kinë po zvarritet dhe tarifat vazhdojnë të intensifikohen, mundësia që kompanitë amerikane të teknologjisë të zhvendosin prodhimin nga Kina drejt atdheut është e ulët. Për dekada të tëra, kompanitë kanë krijuar në Kinë zinxhirë furnizimi të ndërlidhur, që përfshijnë furnizuesit e pjesëve dhe infrastrukturën që nuk lëvizen lehtësisht. Kjo është veçanërisht e vërtetë për kompanitë teknologjike, të cilat gjithashtu mbështeten tek punëtorët e trajnuar posaçërisht për të prodhuar produktet e tyre të teknologjisë së lartë.

Apple dhe kompanitë e tjera teknologjike filluan të kërkojnë përjashtime tarifore që prej muajit qershor, kur Shtëpia e Bardhë propozoi vendosjen e tarifës prej 25 për qind në 300 miliardë dollarët mallra kineze. Më vonë, Wall Street Journal raportoi se Apple kishte planifikuar të zhvendoste prodhimin e MacPro nga Teksasi në Quanta në Kinë, pranë fabrikave të tjera të Apple. Kjo do të kishte qenë një goditje për fabrikën e Teksasit, në të cilën Apple dikur ishte zotuar të investonte plot 100 milionë dollarë.

Në muajin korrik, Trump tha se refuzonte të përjashtonte Apple nga tarifat për komponentët MacPro të importuar nga Kina, por kohët e fundit, ai duket se ka zbutur qëndrimin e tij ndaj kompanisë, duke thënë se ka darkuar me shefin e Apple, Tim Cook dhe ka mësuar se kompania do të shpenzojë shuma të mëdha parash në SHBA.

Shtëpia e Bardhë gjithashtu ka njoftuar përjashtime tarifore të Apple edhe për produkte të tjera, por kompania nuk pranoi të komentojë saktësisht se në çfarë përqindje. Apple thuhet se është angazhuar për të investuar 350 miliardë dollarë në ekonominë e SHBA-së deri në vitin 2023, por kjo mbetet për t’u parë. Deri në fundin e vitit 2018, Apple shpenzoi mbi 60 miliardë dollarë me më shumë se 9 mijë furnitorë vendas në të gjithë SHBA-në. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme