Trump: ShBA duhet të kontrollojë Ngushticën e Hormuzit dhe të paguhet për këtë

Prishtinë | 13 Kor 2026 | 14:59 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar të hënën se Shtetet e Bashkuara me shumë gjasë do të marrin kontrollin e ngushticës së Hormuzit dhe se duhet të kompensohen për menaxhimin e kësaj rruge të rëndësishme ujore.

“Ne do ta mbajmë ngushticën dhe ndoshta do ta drejtojmë vetë. Do të bëhemi kujdestarët e saj”, tha Trump në një intervistë telefonike për programin “Fox & Friends” të televizionit Fox News.

Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët kryesore për furnizimin global me naftë, është shndërruar në një nga pikat kryesore të përplasjes në konfliktin mes SHBA-së dhe Iranit.

Bllokada e saj nga Irani ka ndikuar në rritjen e çmimeve të energjisë dhe ka shtuar shqetësimet për inflacionin në nivel global, shkruan Reuters.

“Ne do ta mbrojmë atë dhe do të paguhemi për këtë – shumë para”, tha Trump, duke shtuar se vendet e tjera janë të pasura dhe se SHBA-ja nuk mund ta bëjë këtë “falas”.

Irani njoftoi të shtunën mbylljen e ngushticës pas asaj që e cilësoi si kalim të paautorizuar, ndërsa të dielën deklaroi se kalimi mbetet i pezulluar dhe se lejet do të lëshohen pasi të rikthehen “stabiliteti dhe qetësia”.

Të ngjashme