Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka sulmuar ashpër me fjalë hetuesin special, Robert Mueller, gjatë një samiti të konservatorëve.
Gjatë fjalimit më të gjatë prej kohës kur është zgjedhur i pari i ShBA-së, ai bëri ankesa kundër hetimit për lidhjen e fushatës zgjedhore të tij me Rusinë. “Po e presim një raport nga njerëzit që nuk janë zgjedhur nga populli”, tha presidenti amerikan para personave të pranishëm.
“Për fat të keq, i vendosim njerëzit e gabuar në disa pozita dhe ata i braktisin për një kohë të gjatë njerëzit që do të duhej të ishin aty dhe krejt papritmas ata përpiqen të të largojnë me gjepura”, shtoi ai.
Gjatë këtij fjalimi, i cili zgjati më shumë se dy orë, presidenti Trump bëri sulme të ashpra edhe ndaj ish-prokurorit të përgjithshëm, Jeff Sessions, ish-shefit të FBI-së, James Comey, Partisë Demokratike dhe atyre që e kanë kritikuar për qasjen ndaj Koresë Veriore.
Ai tha se Mueller ka qenë shoku më i mirë i ish-shefit të FBI-së, James Comey, ndërsa e përqeshi të folurit e ish-prokurorit Sessions, të cilin e shkarkoi në nëntor të vitit të kaluar.
Fjalimi i Trumpit erdhi pas një jave të vështirë për të. Para disa ditësh, ish-avokati i tij e quajti atë racist, mashtrues dhe person të korruptuar.