Trupi gjykues nxori tetë urdhra gojorë ndaj palëve në konferencën përgatitore për gjykim në rastin e Pjetër Shalës

Prishtinë | 19 Tet 2022 | 15:08 | Nga Ekonomia Online

Në ditën e dytë të konferencës përgatitore për gjykim në rastin ndaj Pjetër Shalës, i cili akuzohet për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), trupi gjykues ka dhënë tetë urdhra gojorë.

Në këtë seancë, kryetarja e trupit gjykues Mappie Veldt- Foglia ka deklaruar se urdhri i parë gojor ka të bëjë me listën e dëshmitarëve të ZPS-së, duke ditur që ZPS dëshiron të shfrytëzojë edhe dëshmitë e ekspertëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë drejtim, trupi gjykues i ka kërkuar ZPS-së që të përfshijë dëshmitarët ekspertë mbi dëshminë në të cilën dëshiron të mbështetet dhe të paraqesë informacion lidhur me ekspertizën për kualifikimet e të gjithë ekspertëve dhe kjo të bëhet para 28 tetorit 2022.

Gjithashtu, trupi gjykues ka bërë të qartë që dëshiron të shoh në listën e dëshmitarëve, të gjithë dëshmitarët, dëshmia e të cilëve do të shfrytëzohet në gjykim nga ZPS.

Urdhri i dytë gojor kishte të bëjë me paraqitjen e dëshmisë së dëshmitarëve ekspertë të cilët do t’i shfrytëzojë ZPS, ku trupi gjykues ka kërkuar nga pala mbrojtëse që të paraqesë nëse ka kundërshtime lidhur me dëshmitarët ekspertë.

“Nëse dëshmitarët ekspertë të ZPS-së janë të përshtatshëm për t’u dëgjuar apo nëse dëshiron të kundërshtojë disa pjesë të raportit të tyre apo nëse dëshiron që të bëjë kundërpyetje lidhur me dëshmitarët ekspertë dhe kjo dy javë pasi të dorëzohet mocioni i ZPS-së, me anë të së cilit ZPS do të tregojë nëse këta ekspertë do të jenë pjesë e listës së dëshmitarëve të tyre”, është shprehur gjykatësja Veldt-Foglia.

Lidhur me kërkesën e ZPS-së, për të ndryshuar listën e provave duke shtuar 6 dokumente, trupi gjykues është shprehur i mendimit se numri i materialeve që dëshiron të shtojë prokuroria është i kufizuar dhe se parashtrimet e ZPS-së janë me vlerë provuese dhe se mendon që këto dokumente janë të rëndësishme për të arritur në të vërtetën.

Për këtë, trupi gjykues ka dhënë urdhrin e tretë duke i kërkuar ZPS-së që t’i nxjerrë këto dokumente për mbrojtjen dhe t’i bëjë pjesë të listës së dëshmitarëve të tyre jo më vonë se data 28 tetor 2022.

Tutje, trupi gjykues ka dhënë edhe urdhrin e katërt, i cili kishte të bëjë me kërkesën e ZPS-së për të shtuar 85 dokumente.

Trupi gjykues ka shprehur mendimin që materiali i propozuar nga ZPS mund të jetë me vlerë për përgatitjen e palës mbrojtëse dhe pala mbrojtëse nuk e ka kundërshtuar nxjerrjen e këtyre dokumenteve.

Duke i marr parasysh këto fakte, trupi gjykues ka urdhëruar ZPS-në që të njoftojë në bazë të rregullës 102 (3) përpara 21 tetorit 2022 dhe pas kësaj mbrojtja do të duhet të tregojë se cilat materiale dëshiron t’i ketë në posedim dhe këtë ata duhet ta bëjnë përpara 4 nëntorit 2022.

“Meqenëse ZPS ka deklaruar se për këto dokumente nuk ka nevojë për masa mbrojtëse, atëherë urdhërohet që t’i nxjerrë këto materiale të identifikuara nga mbrojtja brenda datës 9 nëntor 2022. Dhe në qoftë se ZPS do të kundërshtojë materialitetin e materialeve të mbrojtjes, atëherë duhet t’i tregojë mbrojtjes jo më vonë se data 11 nëntor 2022”, ka deklaruar Veldt-Foglia.

Të ngjashme