Tryezat po fuqizojnë qeverisjen aktuale, thotë Muhaxhiri

Prishtinë | 27 Maj 2018 | 15:38 | Nga

Janë bërë tetë muaj që kur Ramush Haradinaj mori postin e kryeministrit të Kosovës, e rreth katër muaj që kur disa subjekte tjera politike kërkojnë rrëzimin e saj.

Në shkurt të këtij viti nisën zërat se Qeveria Haradinaj duhet të bie nëse demarkacionit nuk i gjendet zgjidhje. Ishte LDK-ja e para që hapi debatet se nëse demarkacioni kalon me versionin që e kishte nënshkruar Qeveria Mustafa, vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Në mars të këtij viti, demarkacioni kaloi me 80 vota me po atë version. Por, edhe pas gjithë debateve se Qeveria Haradinaj duhet të bie sa më shpejtë, ajo nuk e ka në rrezik mbijetesën.

Analisti politik Artan Muhaxhiri, ka folur për Koha.net rreth mundësisë së rrëzimit të Qeverisë Haradinaj dhe çështjeve tjera më me rëndësi për vendin.

“Qeveria aktuale ka premisa të një sistemi të çakorduar, me mungesë respekti ndaj hierarkisë dhe shumë qendra autonome të vendimmarrjes, të cilat shpesh janë në kolizion reciprok. Mirëpo, me një opozitë të painteresuar për bashkëveprim efikas, aktualisht çdo prognozë për jetëgjatësinë e qeverisë nuk mund të jetë e mbështetur në argumente të bazuara”, tha ai.

Gjatë javës së kaluar, Lëvizja Vetëvendosje ishte nikoqire e tryezës së tretë me radhë mes partive politike, ku temë e tyre ishte “Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve”. Ani pse edhe LDK-ja tha se kërkon zgjedhje të reja, VV-ja këtë herë nuk mori mbështetjen e saj, pasi LDK thotë se janë përcaktuar në dialogun me Serbinë, si çështje më me rëndësi për vendin.

Qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, analisti Muhaxhiri e konsideron të drejtë në aspektin politik, por jo në nivelin e realizmit politik. Ndërkaq, thotë se LDK-ja nuk do ndërmarrë asnjë hap konkret për rrëzimin e qeverisë deri të ketë ndonjë aranzhim për ta garantuar qeverisjen e ardhshme.

“Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje është i drejtë në aspektin e moralit politik, pasi parimisht një qeveri nuk duhet të marrë vendime për shtetin dhe qytetarët nëse nuk ka legjitimitet elementar prej 61 deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, në nivelin e realizmit politik perspektiva është diametralisht tjetër, sepse relacionet e pushteteve mes akterëve janë ato që – etikisht apo jo – substancialisht e përcaktojnë peizazhin qeverisës. Nuk është hera e parë e as s’do të jetë e fundit që do të ballafaqohemi me gjendje të këtillë”, tha Muhaxhiri.

Tutje, ai tha se “LDK-ja ka përvojë të madhe në qeverisje, prandaj e di qartësisht rrugën e vështirë nëpër të cilën duhet të kalojë për të ardhur në pushtet. Gjatë viteve të fundit kjo parti ka bërë metamorfoza, prapakthime dhe kompromise të panumërta me faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, shpesh në dëm të besueshmërisë vlerore dhe trashëgimisë emocionale”.

“Për këtë arsye, LDK-ja nuk do të ndërmarrë asnjë hap konkret për rrëzimin e qeverisë përderisa të mos jetë pjesë e ndonjë aranzhimi shumështresor vendor dhe ndërkombëtar që do t’ia garantojë përfshirjen në qeverisjen e ardhshme”, është shprehur Muhaxhiri.

Muhaxhiri thotë se është një mal i madh me punë dhe angazhime opozitare të cilat duhet të përfundojnë para se të realizohet mocioni i mosbesimit. “Përgjithësisht, mosbesim ka edhe ndaj qeverisë, edhe ndaj opozitës”, tha ai.

Lideri i VV-së, Albin Kurti, të premten ka përmbledhur pesëmbëdhjetë pika si arsye se pse Haradinaj s’mund të jetë më kryeministër i Kosovës dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja. Por, Muhaxhiri tha se ky subjekt s’mund ta rrëzojë qeverinë me përsëritje të metodave të cilat në të kaluarën s’dhanë rezultat.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta rrëzojë Qeverinë Haradinaj me përsëritjen e metodave të njëjta që janë treguar të pasuksesshme në të kaluarën. Parakusht për rezultat pozitiv të rrëzimit të qeverisë është që paraprakisht të ndërtohet një alternativë opozitare tamam – e harmonizuar, realiste, strategjikisht e koordinuar dhe politikisht më e fuqishme sesa koalicioni qeverisës. Vetëm kësisoj krijohet entuziazmi dhe garancia për mobilizim të vërtetë opozitar, si dhe përfitohet përkrahja qytetare”, u shpreh Muhaxhiri.

Muhaxhiri thotë se më i rëndësishëm se vet akti i rrëzimit të qeverisë është investimi në predispozitat maksimale që qeverisja e ardhshme të jetë më e mirë në raport me aktualen.

“Nga përvoja është dëshmuar se rrëzimi i një qeverie assesi nuk nënkupton me automatizëm përmirësim të kualitetit institucional. Organizimi i këtyre tryezave është formalitet iluzionkrijues, me të cilin, në fakt, fuqizohet kjo qeverisje e dobët, sepse dalin në pah kundërshtitë brendaopozitare dhe thellohet pashpresa e ndryshimit”, tha analisti Artan Muhaxhiri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme