Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Greqi i ka fituar partia opozitare e qendrës së djathtë, Demokracia e Re, e udhëhequr nga Kyriakos Mitsotakis.
Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, e ka pranuar humbjen në zgjedhjet e përgjithshme, dhe e ka telefonuar kundërshtarin e tij për t’i uruar fitoren, raporton REL.
Në bazë të rezultateve të deritanishme, konservatorët e Mitsotakis fituan 39.7% të votave, ndërsa partia Syriza e kryeministrit Tsipras, është në vendin e dytë me 31.6%.
Dalja në zgjedhje ishte 57 për qind.
Kryeministri i zgjedhur, Mitsotakis, u tha mbështetësve se atij i dhanë një mandat të fuqishëm për ndryshim.
“Vendi ynë me krenari ngre kokën përsëri”, u tha ai mbështetësve të tij, në kryeqytetin Athinë, duke potencuar se ai do të jetë kryeministër për të gjithë, sepse grekët janë “shumë pak për të qëndruar të ndarë”.
Ndërsa, pas bërjes publike të rezultateve, kryeministri i deritanishëm, Alexis Tsipras, përmendi vendimet e vështira që është dashur të marrë në kohën sa ka qenë në pushtet”.
“Sot, me kokën lartë, ne e pranojmë vendimin e popullit. Për të sjellë Greqinë aty ku është sot ne duhej të merrnim vendime të vështira me një kosto të rëndë politike”, tha Tsipras gazetarëve.
Alexis Tsipras thirri zgjedhjet e parakohshme pas humbjes në zgjedhjet për parlamentin evropian, që u mbajtën në muajin maj.
Ai kishte rrëzuar nga pushteti Demokracinë e Re, më 2015, duke bërë fushatë kundër politikave të kursimit që kishin prekur grekët për vite me radhë.