“Negociatat me Shqipërinë ishin më të vështira se me Maqedoninë, na kanë marrë më shumë kohë. Imagjinoni që kemi për të zgjidhur çështje që janë të hapura që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Shqipëria dhe Greqia mund të përmbyllin brenda qershorit marrëveshjen për kufirin detar dhe po ashtu t’i japin zgjidhje çështjeve të mbetura pezull nga Lufta e Dytë Botërore.
Në një deklaratë pas punimeve të samitit të Sofjes, ku pranoi se Shqipëria dhe Greqia janë ende në gjendje lufte kryeministri grek Aleksis Tsipras konfirmoi përparimin e bisedimeve, që sipas tij ishin tejet të vështira.
“Negociatat me Shqipërinë ishin më të vështira se me Maqedoninë, na kanë marrë më shumë kohë. Imagjinoni që kemi për të zgjidhur çështje që janë të hapura që nga Lufta e Dytë Botërore”.
“Jemi ende në gjendje lufte. Është çështja e Zonave Ekskluzive Ekonomike, një çështje e rëndësishme si dhe të tjera mes të cilave edhe respektimin i të drejtave të minoritetit grek. Jemi në rrugë shumë të mbarë, nuk dua të them i sigurt, por jam shumë optimist se do të kemi zhvillime pozitive për këto çështje brenda qershorit”.
I pyetur nëse Shqipëria do të marrë dritën jeshile për negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, Tsipras tha se kjo nuk varet vetëm nga zgjidhja e problemeve dypalëshe mes Shqipërisë e Greqisë, duke shtuar se në gjirin e BE-së ka vende që kanë mendime të ndryshme për këtë çështje.