Turqia dërgon ndihma ushqimore në Jemenin e rrënuar nga lufta

Prishtinë | 17 Maj 2020 | 08:46 | Nga Ekonomia Online

Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë i ka shpërndarë dy mijë pako ushqimore në Jemen si ndihmë për familjet në nevojë në shtetin e përfshirë nga kriza humanitare dhe nga një luftë e gjatë.

Udhëheqësi i delegacionit të Gjysmëhënës së Kuqe, Mustafa Aydin, tha se pakot me ndihma ushqimore janë shpërndarë në Marib si pjesë e fushatës për dhurimin e gjithsej pesë mijë pakove me ushqim në provinca të ndryshme të Jemenit.

Kjo fushatë ka për qëllim lehtësimin e problemeve të familjeve që po vuajnë nga pasojat e luftës gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, shkruan “Anadolu”, transmeton Gazeta Express. Fushata në Jemen ka nisur më 29 prill.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe kaosi që nga viti 2014, kur rebelët e grupit Houthi e morën nën kontroll një pjesë të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Kriza doli nga kontrolli në vitin 2015, kur një koalicion ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite nisi sulme shkatërruese nga ajri me qëllim të kthimit të territoreve nën kontrollin e qeverisë që po luftohet nga rebelët.

Dhjetëra mijëra banorë të këtij shteti, përfshirë civilë, besohet të jenë vrarë në konflikt deri më tani. Rasti i Jemenit vlerësohet si kriza më e rëndë humanitare në botë tani për tani, sepse miliona njerëz janë të rrezikuar nga vdekja prej urisë.

Të ngjashme