Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin për Investime dhe Tregti Kosovë – Turqi, zhvilloi një takim bilateral me Ministrin e Ekonomisë së Republikës së Turqisë, Nihat Zeybekci.
Ministrja Bajrami, në këtë takim u shoqërua nga zv. Ministri i Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj dhe Ambasadori i Kosovës në Turqi, Avni Spahiu.
Ministrat Bajrami dhe Zeybekci biseduan rreth rritjes së bashkëpunimit në mes së Kosovës dhe Turqisë.
Ministrja Bajrami e informoi homologun e saj për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmirësimin e ambientit të biznesit në vend.
Ministrja po ashtu informoi për miratimin e Ligjit për Investime Strategjike dhe për rëndësinë që ka ky ligj dhe sigurinë që ai ofron për investitorët.
Bajrami shprehu interesimin e saj dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik me Turqinë dhe e informoi ministrin Zeybekci për potencialin që ka Kosova për investime.
Në anën tjetër, ministri Zeybekci, ofroi përkrahjen e tij dhe të Qeverisë së Turqisë për promovimin e Republikës së Kosovës në Turqi përmes forumeve dhe panaireve të ndryshme.
Poashtu, ministri Zeybekci e informoi Bajramin se Qeveria e Republikës së Turqisë i inkurajon vazhdimisht kompanitë turke që të investojnë në Kosovë me qëllim të forcimit të raporteve ekonomike dhe miqësore në mes të dyja vendeve.
Ministrat Bajrami dhe Zeybekci diskutuan rreth mundësisë së nënshkrimit të një memorandumi të mirëkuptimit për përkrahjen e promovimit të Kosovës nga ana e Turqisë, dhe mundësisë së krijimit të Odës Ekonomike Turke në Kosovë.