Turqia kërcënon me hakmarrje nëse ndëshkohet nga BE-ja

Prishtinë | 07 Kor 2020 | 08:22 | Nga Ekonomia Online

Turqia do të reagojë me veprimet e veta nëse Bashkimi Evropian i vë sanksione të reja Ankarasë, ka paralajmëruar të hënën ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, pas takimit që ka pasur me diplomatin më të lartë evropian.

Ministri i Jashtëm i Francës ka thënë javën e kaluar se ministrat e Bashkimit Evropian do të diskutojnë më 13 korrik për Turqinë dhe ka thënë se sanksionet e reja kundër shtetit turk do të shqyrtohen, pas veprimeve turke për shpime në zonën ekonomike qipriotë, transmeton KOHA shkrimin e Reuters.

“Nëse Bashkimi Evropian merr vendime shtesë kundër Turqisë, ne do të duhet të reagojmë ndaj kësaj”, ka deklaruar Çavushoglu në një konferencë për media me shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrel, në kryeqytetin turk.

Në kohën kur janë përkeqësuar marrëdhëniet ndërmjet bllokut dhe Ankarasë, BE-ja ka imponuar një ndalesë udhëtimi dhe ka ngrirë asetet e dy shtetasve turq në shkurt për rolin e tyre në shpimet e Turqisë në zonën ekonomike detare të ishullit të ndarë.

Çavushogllu ka qortuar Bashkimin Evropian për dështim për të përmbushur premtimet dhe për lidhje të çështjeve si kontesti qipriot dhe marrëveshja e emigrantëve më 2016 me zhvillimet e tjera.

Të ngjashme