Turqia tha të enjten se më 1 dhe 2 shtator do të zhvillojë stërvitje ushtarake në Mesdheun lindor.
Njoftimi erdhi disa orë para mbledhjes së parlamentit në Greqi, ku pritet të ratifikohet një marrëveshje me Egjiptin, që përcakton kufijtë detarë midis dy vendeve, një hap për të cilin Turqia ka ngritur shqetësime.
Shtetet anëtare të NATO-s, Greqia dhe Turqia, gjenden në mes të një tensioni që ka të bëjë me mosmarrëveshjet për kontrollin e ujërave mesdhetare lindore
Tensionet u përshkallëzuan pasi Ankaraja dërgoi një anije për të kërkuar naftë dhe gaz në Detin Mesdhe.
Greqia dhe Qiproja e kanë kundërshtuar veprimin e Turqisë duke kërkuar edhe reagimin e Bashkimit Evropian.
Franca tha të mërkurën se do të bashkohet në stërvitjet ushtarake me Italinë, Greqinë dhe Qipron në Mesdheun lindor
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Turke, Hami Aksoy tha se vendosja e avionëve ushtarakë francezë në Qipro, shkelte traktatet në lidhje me kontrollin dhe administrimin e ishullit, pas pavarësisë nga Britania më 1960.
Aksoy tha se qëndrimi i Francës po inkurajonte Greqinë dhe Qipron të përshkallëzojnë më tej tensionet në rajon.